Në një takim të zhvilluar së fundmi, Kryetari i Këshillit të Qarkut Shkodër, Edmond Ndou, u takua me Drejtorin e Agjencisë Rajonale të Zhvillimit Bujqësor, Pjerin Spathari, dhe Drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Veterinar, Andi Bilali, për të diskutuar mbi përmirësimin e mëtejshëm të koordinimit të punës mes Këshillit të Qarkut dhe sektorëve të tjerë.
Gjatë takimit, u diskutuan tema të ndryshme, përfshirë sigurinë ushqimore, standardet e prodhimit, zhvillimin e agro-turizmit, mbështetjen financiare për fermerët, mbrojtjen e bimëve, si dhe ofrimin e shërbimeve cilësore veterinare.
Por diskutimi u përqendrua dhe tek nevojat për përmirësimin e administrimit dhe mbrojtjes së tokës bujqësore, një detyrim institucional i Qarkut. Ndou theksoi se përkrahja e Këshillit të Qarkut Shkodër nuk do të mungojë për thellimin e rezultateve dhe realizimin maksimal të objektivave në fusha të ndryshme.
Spathari dhe Bilali mirëpritën kontributin e Qarkut në aktivitetin e tyre dhe u ndalën në disa probleme specifike, si nevoja për vëmendje më të veçantë ndaj bimëve medicinale në Malësi të Madhe dhe nevoja për një treg të bagëtive edhe në zonën e nën-Shkodrës.
Kryetari Ndou u zotua gjithashtu se bashkëpunimi me të gjithë institucionet, vendore dhe qendrore, nuk do të mungojë në funksion të përmirësimit të standardeve të jetesës për të gjithë banorët e qarkut.
Takimi shërbeu si një platformë për të ndarë mendime dhe përvoja, si dhe për të planifikuar dhe koordinuar hapat e ardhshëm në drejtim të përmirësimit të shërbimeve dhe zhvillimit të këtyre sektorëve në qarkun e Shkodrës.