Me një mision të veçantë pranë shtresave në nevojë ku japin kontributin e tyre prej 18 vitesh në bashkinë Vau Dejës. Kënaqësi të prisja në një takim në mjediset e Këshillit të Qarkut Shkodër, rektorin e Kishës së Bushatit Pader Andre Marie M.C, si dhe Kolë Shaben drejtuesi i qëndrës rezidenciale të misionarëve të Nënë Terezës për Shqipërinë.

Mirënjohës për punën që bëjnë dhe kontributin që japin në vendin tonë. Ju ofrova mbështetjen time dhe institucionit që drejtoj, për të qënë sa më pranë komunitetit me shërbime, aq më shumë kur flitet për shtresat në nevojë.

Qendra sociale rezidenciale për persona me aftësi ndryshe e Entit kishtarë të kishës katolike “Shtëpia Rregulltare e Bashkësisë Misionarët e Dashurisë kontemplative”, Vllaznit e Nënë Terezës, në njësinë Administrative Bushat të Bashkisë Vau Dejës. Prej vitit 2006 kur çeli dyert, ajo vazhdon si një ogur i mirë i shërbimeve sociale në territorin e kësaj bashkie.

Personeli i kualifikuar prej 18 operatorësh sociale së bashku me misionaret e Nënë Terezës u shërbejnë rreth 32 personave me aftësi ndryshe të moshës nga 25 deri ne 60 vjeç, që vijnë nga qarqe të ndryshme të vendit pasi kane dalë nga rezidencat apo janë braktisur. Kjo qendër ka krijuar një traditë dhe eksperiencë të gjërë në ofrimin e shërbimeve ndaj këtyre personave. Një kontribut të veçantë japin edhe vullnetarët apo grupet që janë pjesë e religjioneve të ndryshme të komunitetit.