Zgjedhja e Edmond Ndout në krye të këshillit të qarkut Shkodër është përshëndetur nga disa prej drejtuesve europian të niveleve rajonale, me të cilat institucioni i qarkut ka bashkëpunime dhe është anëtar i tyre. Në telegramet e urimit, drejtuesit e Konferencës së Rajoneve Periferike Detare të Europës, Euro-rajoni Adriatiko Jonian dhe Asamblea e Rajoneve të Europës, shprehen të gatshme të thellojnë bashkëpunimet me qarkun Shkodër. Në Letrën e tij Përshëndetëse Presidenti i Konferencës së Rajoneve Periferike Detare të Europës Loïg Chesnais-Girard e fton kryetarin e qarkut Ndou, në takimin që do të mbahet në muajin Mars në Patras të Greqisë.
Ne emër e rajoneve anëtare të Konferencës së Rajoneve Periferike Detare të Europës, Sekretares sonë të Përgjithshëm, Zonjës Eleni Marianou dhe në emrin tim, dëshirojmë të ju përshëndesim për zgjedhjen tuaj si Kryetar i Këshillit të Qarkut të Shkodrës. Konferenca e Rajoneve Periferike Detare, me 160 Rajone Anëtare dhe gjashtë Komisione Gjeografike, ka arritur një pozicion të dallueshëm në Europë gjatë këtyre viteve, duke promovuar dhe mbrojtur interesat kolektive në fusha të rëndësishme të veprimtarisë, duke u përqendruar në kohezionin shoqëror, ekonomik dhe territorial, politikat detare, rritjen blu, dhe aksesibilitetin. Shpresoj shumë që nën drejtimin tuaj, konferenca dhe Komisioni i saj ndër-mesdhetar do të vazhdojnë marrëdhëniet e shkëlqyera të bashkëpunimit që kemi patur me qarkun tuaj që prej hyrjes së tij në organizatën tonë në vitin 2014. Ju uroj një mandat të suksesshëm dhe shpresoj të kemi kënaqësinë e takimit me ju në eventin tonë të ardhshëm të Kryesisë që do të mbahet në Patras (Greqia Perëndimore) më 22 Mars 2024.
Francesco Cocco, sekretari i Përgjithshëm i Euro-rajonit Adriatiko-Jonian, i cili ka një rol themelor në mbajtjen e marrëdhënieve midis anëtarëve dhe Presidencës me institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare, përgëzon Ndoun për detyrën dhe e fton të thellojnë bashkëpunimet.
“Urimet më të mira zoti Ndou për zgjedhjen tuaj si Kryetar i Këshillit të Qarkut Shkodër. Duke ju Uruar më të mirën në punën tuaj, shpresoj të takohemi së shpejti për të vazhduar bashkëpunimin tonë.”
Ndërsa Christian Spahr, Sekretar i Përgjithshëm i Asamblesë se Rajoneve të Europës shpreh bindjen në zgjerimin e fushave të bashkëpunimit.
“Jemi të kënaqur ta urojmë për zgjedhjen tuaj dhe të punojmë me Presidentin Ndou. Do të vazhdojmë shkëmbimet tona të frytshme në përputhje me qëllimet tona të përbashkëta. Unë gjithashtu do të jem i lumtur të bisedoj me zotin Ndou në rastin më të parë ose ta mirëpres atë në një nga takimet tona.”
Në përmbyllje të urimeve të tyre, përfaqësuesit e këtyre institucioneve vënë theksin tek ajo që mbetet një vlerë e Europës së pasur, shumë-etnike, me larmishmëri të vlërave kulturore e gjuhësore. Konferenca e Rajoneve Periferike Detare bashkon më shumë se 150 Rajone nga 24 Shtete të Bashkimit Evropian dhe më gjerë. Ajo fokusohet kryesisht në kohezionin shoqëror, ekonomik dhe territorial, politikat detare dhe rritjen blu, si dhe aksesibilitetin. Qeverisja evropiane, energjia dhe ndryshimet klimatike, fqinjësia dhe zhvillimi gjithashtu përfaqësojnë fusha të rëndësishme të veprimtarisë për shoqatën.