“Ju lutem mos postoni një status prej tri rreshtash për të prekunit nga kanceri. Nuk ka jetë që mblidhet në tri rreshta”! Ky mesazh prej ditës që e lexova më godet si çekiç në kokë. Dhe asesi nuk mund t’ia lejoja vetes që nga ana tjetër të mjaftohesha veç me këto rreshta për të njohur Arjola Zadrimën, gruan e hekurt shkodrane, nënën e dy fëmijëve, poeten që derdh në vargje çdo ndjesi e që sot po kalon përmes një “cikloni”, po lufton me KANCERIN.
Kjo është hera e parë që unë e shkruaj me shkronja të mëdha emrin e kësaj sëmundjeje së cilës më herët i jam referuar si “sëmundje e rëndë”, nga mungesa e kurajos për ta pranuar ekzistencën e saj. Arjola, ose Jola siç e njohin miqtë dhe dashamirësit, jo vetëm që nuk ka frikë prej saj por është shndërruar në burim force dhe optimizmi për këdo që njësoj si ajo po lufton me këtë sëmundje.
Dy fëmijët e saj janë forca më e madhe, e ndërsa poezia “asht frymë”. I kam lënë qëllimisht përgjigjet e saj në gegnisht sepse çdo fjalë e përshtatur e sjellë në “standarten letrare” do e “vriste” këtë rrëfim që rrjedh, të merr me vete e madje të “shkund mirë” për rëndësinë e patjetërsueshme të së tashmes. E nesërmja s’ka asnjë vlerë….
NGA ANTA MUÇAKU- INTERVISTA E PLOTË
Do doja si fillim të më tregoje kur e zbulove që vuaje nga kjo sëmundje së cilës ne kemi “frikë” t’i themi edhe emrin… e madje shpesh e shmangim duke thënë “sëmundje e rëndë”!
Para një viti u përballa me këtë sëmundje. Për mu asht tumori i vezoreve, tumori akut që nuk ndihet vetëm kur ka ba damin e tij. Mbas një operacioni të suksesshëm në QSUT fillova me kemion.
Tani, si je?
Ma mirë. Vazhdoj terapinë e cila ka me zgjatë tre deri në 5 vjet. Unë jam në vitin e parë të kurimit.
Çfarë ka ndodhur me ty gjatë kësaj periudhe, a ke ndryshuar ti, jeta jote?
Gjitjçka ka ndryshu me jetën teme. Dhe mendoj se kjo tip sëmundje vjen edhe si pasojë e stresit të fortë.
Para dy vitesh ndërroi jetë im shoq në moshë të re. Për mu ishte një goditje e fortë. Gjithçka ndryshon “sëmundja e kancerit”. Trupin , ndjeshmërinë mbi të gjitha çdo mendim që ke mbi të ardhmen. Detyrohesh me mendu vetëm për “sot” e nesërmja asht vonë. Të duket sikur po i humb të gjitha, jetën, njerëzit e dashtun, rininë dhe të duket sikur nuk ke dhanë aq shumë prej vedit.
Gjithsesi kur fillova të kurohem kuptova se si unë ka me mijëra gra në Shqipni. Mund të ishin dhe në fazë ma të randë se unë ose në shkallë ma të naltë të sëmundjes. Të gjithëve u ngjan me një tmerr por kjo asht këshilla e parë. Tumori asht sëmundje kronike duke përjashtu rastet ekstreme. Duhet marrë si e tillë. Jo si diçka që sjell vdekjen.
Të paktën këto kohë unë e shoh si ” gripi” apo ” virozat” që merren gjatë stinëve. Sigurisht nuk asht e lehtë. Në verë kalova faza të randa të sëmundjes. Ku çdo dy javë më duhej me u ripërtëri me serume.
Ku e gjen forcën Arjola, çfarë të bën kaq luftarake?
Gjithkund. Fëmijët janë një prej arsyeve. Por edhe një ditë me diell asht forcë. Te sytë e prindve. Te librat. Poezia asht pasioni jem. Edhe tek Zoti. Unë besoj shumë.
Këtu dua të ndalem pak. Kur mësova per ty, mua më erdhi pak “turp” që nuk të kisha lexuar më herët. Si në asnjë cep, në këtë “rrjet të cmendur” ku “gëlon” e shpërndahet me shpejtësi gjithçka, nuk më kishin zëne sytë asnjë varg tendin. Poezia jote është e gjitha ndjesi…
Poezia për mu asht frymë, ajri i pastër i Vermoshit, rrjedha e Bunës, tërbimi i Drinit në kohë të tij…
Së fundmi ke botuar një libër të cilin e solle edhe për lexuesit në Tiranë, apo jo?
Së fundi kam botu vëllimin e dytë me poezi i cili titullohet ” Carpe Diem” ( Kape Çastin). Dhe po, e solla edhe në Tiranë ku miqtë e librit më pritën mjaft mirë.
*Nga libri “Carpe Diem”, në foto asht ime bijë bashkë me poezinë që i dedikohet
Do doja të flisnim pafundësisht për poezinë tënde por ndërkohe mendjen e kam te diçka që ti ke shkruar dhe që është arsyeja e cila më shtyu të të kontaktoja patjetër. “Ju lutem mos postoni një status prej tri rreshtash për të prekunit nga kanceri. Nuk ka jetë që mblidhet në tri rreshta”. Çfarë kishe parasysh?
Po shihja një status që po shpërndahej në facebook. U drejtohej të prekunve nga kjo sëmundje. Pa ndonjë mesazh konkret por me mëshirë. Kjo më bani përshtypje dhe më lodhi. Nuk u duhet mëshira sot njerëzve. Trajtoni ata sikur nuk ekziston sëmundja dhe keni me gjetë një shok ose shoqe të mirë shumë. Unë apo ne, kjo ska ramdësi e jetojmë jetën me të njëjtin vrull. Si të gjithë me një qëllim veç me ja dalë.
Vura re Arjola, që gjatë gjithë kesaj kohe, ti nuk ke shkruar për dhimbjen e madhe, s’e ke ndarë me kërrkënd. E vetmja së cilës i je ‘hapur’ e dhënë plotësisht, është poezia…
Nuk asht në natyrën teme me nda dhimbjen me njerëzit. Mendoj se ajo që duhet me dhanë prej vedit asht kurajo dhe drita kjoftë edhe në fund të tunelit.
Ajo më asht dashtë në çaste të caktueme të jetës.
Po fëmijët e tu? E ndjejnë ata, gjithë këtë? Dua të them, vajtje-ardhjet në Tiranë, kemiot, luftën tënde të vazhdueshme…
Po e ndjejnë shumë. Në fillim ishte e vështirë me e pranu sidomos ime bijë e cila asht adolishente. Por ja u kam shpjegu në detaje gjithçka. Kujdesen shumë për mu. E kanë kuptu që bahet fjalë për diçka kalimtare. Ah po u mësuem se jeta nuk rrjedh gjithmonë qetë ka edhe ciklone e stuhi. Ku te tre së bashku kemi kalu përmes tyne.
Ti trajtohesh te Spitali Onkologjik në Tiranë. A ke marrë aty shërbimin e nevojshëm?
Po aty kurohem. Të gjitha i kam marrë aty. Dhe ende vazhdoj të kurohem aty. Asht pikërisht ky vend që të jep shumë forcë. Sidomos kur sheh njerëz të moshave të ndryshme dhe në faza të ndryshme të sëmundjes.
Në ç’kuptim të jep forcë? Çfarë ke parë aty që të bën më të fortë?
Njerëz që luftojnë njësoj si unë. Nuk demoralizohen , nuk kthehen në viktima dhe mbi tana e shohin si unë Shoh njerëz që ja kanë dalë, të cilët e kanë mposhtë sëmundjen madje njoh të tillë. Asht tipi i sëmundjes që kurohet 50 % nga optimizmi.
Çfarë do i thoje dikujt që ndoshta ashtu si ti, po kalon të njëjten gjë por ndryshe nga ti, dhimbja e ka mposhtur e ndoshta mendon pikërisht për atë që do vijë nesër, ka frikë…
Veç mos ta kthejnë kryet mbrapa. Zgjohu çdo ditë me mendimin se ke një dhuratë të çmueshme shumë për të cilën të takon ty të luftosh, të kujdesesh, ta mbrosh dhe mbi të gjitha ta jetosh. Jeta asht ajo që ja vlen gjithmonë. Sado e gjatë kjoftë një natë gjithmonë zbardh e ba me dashtë na, lind dielli.
Do doja të ndaje me ne disa vargja, më të fundit që ke shkruar… ato që i mban “fshehur”!
****
Ka do ditë!
Ka do ditë që kam mall,
të krejt jetëve,
të mbledhun në grykë,
të lidhun për fyt,
nuk ikë,
rrin njaty, herë çut e herë fjetë…
Ka do ditë, që fle me shpirt të untë,
në mjegull andrrash të shkrumueme,
ndij për bark vesën e akullt,
heshtjen e lmueme të viteve…
ka do ditë që të du,
ma shumë se dje, ma shumë, krejt ma shumë
sa në këtë nur të trishtë
jam gdhendë mbi trupin tand të pa jetë,
grueja e mermertë.
Ah sa e marrë jam,
tash vdes pa mujtë me të thanë
se ka do ditë
që kapërdihem gjallë!
“Dhimbja”
A e njeh atë zhurmën
që të përqeth trupin,
të dridhunat që të kaplojnë,
zbraztinë që të mbërthen netëve,
kërcitjen e dhambëve,
grryemjen e mureve të zemrës?
Nuk e di në jam edhe dhimbja jote! /Burimi:NewsBomb/