Sot pata kënaqësinë që si kryetar i Këshillit të Qarkut Shkodër, të nderoj disa prej emrave të shquar të gazetarisë sportive në qytetin tonë.

Me përulësi dhe respekt i kujtojmë Ramadan Bigzën, Ymer Striniqin dhe Mejdan Zhivanin, tre figura që, edhe pse nuk janë më fizikisht mes nesh, mbeten të gjallë në kujtesën tonë përmes pasionit, përkushtimit dhe kontributit të tyre të jashtëzakonshëm në pasqyrimin e sportit shkodran.

Një mirënjohje e veçantë shkon për Namik Mehmetin dhe Gasper Markun, dy personalitete që edhe sot, me shembullin dhe profesionalizmin e tyre, vazhdojnë të frymëzojnë breza të tërë gazetarësh dhe sportdashësish. Gazetaria sportive nuk është vetëm raportim, ajo është art, pasion dhe mision.

Është ruajtje e kujtesës kolektive, është histori që transmetohet me ndjenjë e përgjegjësi.
Falë këtyre emrave, historia dhe emocionet e Vllaznisë janë bërë pjesë e identitetit tonë, duke i dhënë Shkodrës një zë të fuqishëm në gjithë hapësirën shqipfolëse dhe përtej kufijve.