Të dashur nxënës, mësues dhe prindër.
Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2025-2026, dua t’ju shpreh urimet më të përzemërta për një rrugëtim të mbarë dhe plot arritje.
Shkolla është dritarja që hapet drejt dijes dhe së ardhmes, dhe sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për një brez që edukohet dhe formohet, për ti shërbyer nesër vendit me vizion dhe përkushtim. Ju të vegjël që nisni klasën e parë, e ju maturantë që keni një vit sfidues, e cdo të riu e të reje, ju uroj suksese në çdo hap të këtij rrugëtimi, guxim për të sfiduar veten dhe besim se çdo ditë është një mundësi e re për të mësuar.
Mësuesve, mirënjohje të thellë për përpjekjet e palodhura, përkushtimin dhe rolin e pazëvendësueshëm në formimin e brezave. Prindërve, falënderime për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin me shkollën në edukimin e fëmijëve.
Këshilli i Qarkut Shkodër do të vazhdojë të jetë pranë nismave që mbështesin arsimin, duke e konsideruar dijen themelin më të fortë për zhvillimin e shoqërisë sonë.
Jam i lumtur që këtë vit shumë institucione arsimore hapin dyert me kushte bashkëkohore, e një imazh europian, siç i ka hije Shqipërisë 2030.
Ky do të jetë vizioni ynë, puna dhe përkushtimi për vazhdimësinë.
Vit të mbarë
