Kur kujdesi bëhet veprim, ndryshimi është i mundur!
Në Institucionin e Këshillit të Qarkut Shkodër janë dorëzuar 6 projekte nga shoqata që punojnë me personat me aftësi të kufizuara dhe shtresat në nevojë, që do të kalojnë për miratim, e më pas i dorëzohen ministrive të linjës për të akorduar mbështetjen financiare.
3 prej tyre janë vazhdimësi e punës së mirë që tashmë bëhet, ndërsa 3 janë iniciativa të reja. Përpara se t’i kalojmë për miratim, së bashku me stafin e Qarkut Shkodër, vendosëm të mos mjaftohemi vetëm me leximin e projektit në letër, por të shohim në terren kushtet në të cilat punohet, angazhimin e njerëzve, dhe nevojat reale që hasen çdo ditë. U emocionave nga puna që bëhet, si dhe pritja që na rezervuan në këtë ditë të parë, në dy qëndrat: Madonnina Del Grappa dhe Buzëqeshja e Motër Lezes!
Si Qark jemi të vendosur të mos jemi një hallkë burokratike, por një derë e hapur për mundësi.
Do të punojmë fort që këto projekte të marrin mbështetjen e duhur, jo vetëm nga ministritë përkatëse, siç është bërë deri më sot, por edhe nga donatorë dhe partnerë të tjerë, vendas e të huaj. Sepse pas çdo projekti ka histori njerëzore, punë të palodhur dhe një nevojë që nuk mund të presë. Duam dhe do të jemi një zë i fuqishëm për këta persona, që kanë nevojë për përkujdesje, dashuri e respekt mbi të gjitha, nga secili prej nesh!



















