Vitet e fundit, edhe qarku i Shkodrës ka ndjekur trendin pozitiv që ka pasur Shqipëria për sa i përket numrit të vizitorëve. Statistikat zyrtare për numrin e vizitorëve që kalojnë në pikat kufitare të rajonit të Shkodrës tregojnë për një rritje pak a shumë konstante prej 30% në vit për 4 vitet e fundit. Një pjesë të mirë të këtyre vizitorëve e zënë turistë që vizitojnë Shkodrën si pjesë e paketave turistike të Kroacisë dhe Malit të Zi.
Në pjesën më të madhe janë vizitorë nga Europa Perëndimore por vihet re një prani gjithnjë e më e madhe e vizitorëve edhe nga Europa Lindore e nga vende të tjera. Ata kryesisht vizitojnë Shkodrën për një ditë dhe kthehen përsëri në drejtim të Malit të Zi. Vetëm një pjesë e vogël e tyre vazhdojnë udhëtimin në qytete ose destinacione të tjera shqiptare.
Zgjatja e kohë-qëndrimit të tyre në Shkodër, është një nga sfidat më të rëndësishme me të cilën përballet sot turizmi në rajon. Ka një tendencë rritjeje të numrit të vizitorëve që vijnë në Shkodër me ture të vetë-organizuara (me motorë, biçikleta, campers etj). Koha e qëndrimit të tyre është më e gjatë, për vetë natyrën e organizimit dhe të udhëtimit të tyre, por përmirësimi i informacionit, i promocionit dhe i shërbimeve për to do të rriste me siguri kohën e qëndrimit.
Një kontingjent shumë të rëndësishëm të vizitorëve në Shkodër e përbëjnë pushuesit shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia dhe ata të emigruar kryesisht në Europë. At a preferojnë turizmin e rërës dhe detit pra zgjedhin të pushojnë në plazhin e Velipojës.
Pushimet e tyre zakonisht zgjasin nga 1 deri në 2 javë dhe janë të përqendruara kryesisht në periudhën 15 Korrik-15 Gusht.
Këtë vit, ndryshe nga vitet e tjera, numri i tyre ka qenë më i madh dhe më i shtrirë në kohë. Pushimet organizohen gati gjithmonë nga agjensi udhëtimi të Kosovës dhe Maqedonisë të cilat kujdesen për gjithçka. Tendenca e fundit është rritja e numrit të vizitorëve shqiptarë të Kosovës dhe Maqedonisë që vizitojnë Shkodrën në mënyrë të organizuar (kryesisht nxënës të shkollave).
Ata janë të orientuar kryesisht drejt turizmit kulturor dhe didaktik dhe këto vizita iu shërbejnë kryesisht për ilustrimin e lëndëve të historisë dhe gjeografisë.