Sot kemi zgjedhur t’iu sjellim një nga bukuritë që ndodhen në Malësi të Madhe siç është Syri i Sheganit.

Syri i Sheganit është një burim i madh që gjendet në afërsi të fshatit Rrogom, të komunës Bajzë në rrethin e Malësisë së Madhe, pranë buzës lindore të Shkodrës, në lartësinë rreth 6 metra mbi nivelin e detit.

Nga banorët e zonës njihet edhe me emrin Sifoni i Virit.

Përshkrimi me detaje:

Uji i burimit të Sheganit del nga një oxhak karstik me thellësi rreth 22 – 28 m dhe gjerësi 3 – 5 m Kanë ujë të pastër dhe të ftohtë, që vjen nga ujërat karstike të Alpeve Perëndimore të Shqipërisë. Eksplorimet e tanishme kanë arritur deri në gjatësinë 80 m të rrugës që bëjnë ujërat e këtij burimi.

Më pas është një shpellë e shembur që pengon eksplorimin. Në ujërat e tyre ka peshq e gjallesa të tjera. Burimet krijojnë një mjedis shumë tërheqës me vlera shkencore (hidrologjike, speleologjike, gjeomorfologjike), didaktike, estetike e turistike. Vizitohet sipas itinerarit qyteti i Shkodrës – Koplik – Ivanaj – Gashaj – Shegan.