Shkodra ka plot mundësi eksplorimi dhe shijimi. Mund të udhëtoni në kohë dhe të vizitoni objektet historike, kulturore dhe ato të kultit, e duke ardhur tek e tashmja dhe të vizitoni qendrën e qytetit, Muzeun Kombëtar të Fotografisë Marubi dhe mësoni rreth punimeve tradicionale.
Por qyteti i Shkodrës ofron edhe aventura të tjera
falë burimeve të shumta ujore, siç është dhe guida me kayak në Shkodër.
Që prej një viti, Drini Xhafa, ofron
guida me kayak në Liqenin e Shkodrës dhe Lumin Buna, si i vetmi atraksion ujor
në këtë zonë të mbrojtur.
Drini me një eksperincë mbi 10 vjeçare me guida turistike, e ka ushtruar si fillim në mënyrë sporadike, por në vitet në kalim u kthye në diçka më shumë se hobi. Duke qenë se Shkodra ka një potencial të jashtëzakonshëm ujor, shërbimi i kanoeve ishte një mangësi dhe prej një viti Drini oron guida me dy itinerare, Liqenin e Shkodrës dhe Lumin Buna. Një guidë e veçantë dhe unike prej rreth 4 orësh ku çdo kush do të mahnitet nga bukuritë natyrore, por ka dhe mundësinë të kundroni shpendët e ndryshëm folezues në këtë zonë.
Të eksplorosh Shkodrën me kayak
Në këtë kohë pandemie, mbas karantinës një eksperiencë e tillë do të ishte unike
dhe një mundësi e mirë edhe për këtë sezon të veçantë veror. Çdo kush mund ta
gjejë veten në këtë eksperiencë.
Që t’i japësh një kanoe nuk është e thënë të kesh një eksperiencë në të tillë
sport, ashtu siç shpjegon edhe Drini këto janë lloje kanoesh me formë varke kollaj
të menaxhueshme.
Drini shpjegon se me kanoet ose kayakët në Shkodër, mund të lëvizësh në dy
destinacione; i pari në liqenin e Shkodrës dhe quhet itinerari i zambakëve të
bardhë të liqenit dhe destinacioni i dytë është lumi Buna.
Në rreth katër orë udhëtim me kayak ju do të mahniteni nga peizazhi dhe natyra e pasur me bimësi ujore dhe shpendë të të gjitha llojeve përreth. Sigurisht që ka vend për t’u pajisur me aparate të mirë fotografikë në mënyrë që të jeni në gjendje të ‘përjetësoni’ çastet magjike që ofron liqeni.
Birdwatching në Liqenin e Shkodrës dhe
Lumin Buna
Aurora Piroviq eksperte e vrojtimit të shpendëve thekson se në itinerarin e parë, i
cili është ai në zambakët të bardhë të liqenit të mbush me një eksperiencë
unike. Duke qenë se Liqeni i Shkodrës është zonë e mbrojtur, është habitati i
disa shpendëve, por edhe i zambakut të bardhë dhe të verdhë, të cilët ndodhen
në pjesën lindore të liqenit. Nisja e këtij itinerari bëhet në pjesë perëndimore
dhe destinacioni final është në pjesën lindore të liqenit. Zambaku si i bardhë
ashtu dhe i verdhë shtrihen në një pjesë të konsiderueshme në pjesë lindore të
liqenit. E veçantë e këtyre zambakëve është se ata ndryshojnë nga njeri-tjetri,
si nga forma, ngjyra gjethja dhe madhësia, por e rëndësishme është se zambaku i
bardhë është habitati kryesor ku folezon dallëndyshja faqebardhë (Chlidonias hybrida), e vetmja familje e këtij shpendi që folezon në Liqenin e Shkodrës.
Prandaj është shumë e rëndësishme shoqërimi i turistave që bëjnë kanatozh me një përfaqësues të guidës birdwatching. Kjo bëhet për të mos lejuar në zonën strikte dhe për të mos i shqetësuar në periudhën e folezimit të dallëndyshes faqebardhë. Duhet ruajtur shumë distanca me zambakun, pasi një shqetësimi i këtij habitati për dallëndyshen, i kthen ato në agresive. Gjatë këtij udhëtimi mund të shikoni shumë shpend të tjerë ujorë si Pelikanin Kaçurrel (Pelecanus crispus), çafkën e përhime (Ardea cinerea), karabullakun e madh (Phalacrocorax carbo); bajzat (Fulica atra); kredharakun e madh (Podiceps cristatus); kredharakun e vogël(Tachybaptus ruficollis), e shumë të tjerë, pasi siç e dimë, ky liqen është shtëpia e shumë shpendëve ujorë. Mendohet se këtë liqen mund të gjenden mbi 200 lloje të ndryshme.
Në itinerarin e dytë mund të kundrojmë shpendët të cilët ndodhen anës lumit, në
kallamishte ka disa lloje: çafkën e vogël të bardhë (Egretta garzetta); pula e ujit (Gallinula
chloropus); kllinza e zallit (Tringa
glareola) apo shumë baltakë të tjerë që mund të vrojtohen lehtësisht me sy
ose me mjete optike teleskop apo dylbi. Edhe ky destinacion është shumë i
rëndësishëm për sa i përket shumëllojshmërisë dhe biodiversitetit të shpendëve
ujorë, pikërisht ata që janë baltakë , janë shpend ujorë që preferojnë ujërat e
njelmëta dhe pikërisht tek hapja e derdhjes së Bunës ka shumë të tillë si
kalorësi (Himantopus himantopus);
gjelaci i vogël ( Calidris minuta);
gjelzi i madh bishtzi (Limosa limosa);
këmbëqiritha (Tringa totanus) pulëbardha këmbëverdhë (Larus michahellis), pulëbardha shpinëzezë (Larus fuscus) si dhe disa lloje kllinzash dhe dallëndyshe deti të
cilat konsiderohen shpendë të mrekullueshëm për t’u parë.
Shkodra ofron një numër shumë të lartë atraksionesh të tjera që me siguri japin arsye shumë të mira, që të kalohet më shumë se një ditë në të, pse jo të bëhet edhe destinacioni juaj për këtë verë.