Me pamjen dhe klimën e fjordeve skandinave, Liqeni i Komanit është një strehë e cila të dhuron një paqe të brendshme. E vendosur mes kodrave të mbuluara me gjelbërim, pozicionohet në pjesën veriore të vendit.

Veriu i Shqipërisë prej vitesh po gëzon meritat e shumta të marra nga turistët e huaj dhe vendas. Dhe dalëngadalë, ky liqen po zë vendin në listat kryesore për t’u eksploruar dhe vizituar. Listës së vendeve të përrallave si ThethiValbona apo Lumi i Shalës i  shtohet edhe Liqeni i Komanit.

Liqeni i Komait, burimi: Pinterest

Liqeni i Komanit është një rezervuar në lumin Drin, që ushqehet nga lumenjtë Shala dhe Valbona. Shtrihet në një sipërfaqe prej 34 kilometrash, nga Fshati Koman gjatë gjithë rrugës deri në Fshatin Fierzë. Ky  liqen është shtëpia e 13 specieve të ndryshme të peshkut dhe amfibëve.

Liqeni Komanit shtrihet mes maleve të qarkut të Shkodrës dhe Kukësit. Është e pabesueshme që një vend kaq i bukur është rezultat i një rezervuari të ndërtuar në 1978 pranë fshatit Koman.

Pak histori: Aty ku ilirët u bënë Shqiptarë

Fshati Koman mendohet të ketë qenë vendi ku ndodhi kalimi midis fisit ilir tek shqiptarët. Tranzicioni quhet ndryshe si Kultura e Komanit, e cila shfaqet diku mes shekujve VI dhe VIII pas lindjes së Krishtit, në këtë fshat. Detajet e varreve në këtë zonë, tregojnë për një kulturë të njëtrajtshme dhe për vazhdimin e ilirëve deri në shekullin IX.

Trageti i Komanit

Udhëtimi përgjatë liqenit nga Komani deri në Fierzë zgjat më pak se tre orë dhe konsiderohet si një nga përvojat më unike të përvoja të udhëtimeve në Shqipëri! Udhëtimi me traget ofron panoramën më të mrekullueshme të kësaj natyre të paprekur që rrethon liqenin. Me një natyrë që do ju mahnisë  thyrjet e shkëmbinjve dhe bukuria e shpateve të veshura me gjelbërim, e rrethuar nga kanione, pamja nga trageti është thjeshtë një parajsë në tokë.

Me përjashtim të muajve të dimrit, trageti Koman punon në pjesën më të madhe të vitit, pasi vendasit gjithashtu e përdorin atë për nevoja të rregullta transporti. Sidoqoftë, koha më e mirë për të vizituar këtë zonë dhe për të përjetuar një udhëtimin magjik “mes legjendave dhe Zanave,” është në verë. Por kujdes, zhytja në liqen ndërsa në traget është në lëvizje, është rreptësisht e ndaluar.

 

Liqeni i Komanit, burimi: magazine.wideoyster.com

Mos harroni të ndaloni në Liqenin i Vau të Dejës

Për fat të mirë, Liqeni i Vau  Dejës është një ndalesë e zakonshme në turnet e trageteve të Liqenit të Komanit, për pamjet e tij të bukur dhe restorantet e mrekullueshme të liqenit. E vendosur 23 km larg Shkodrës, në këtë liqen ndodhet edhe ishulli mahnitës i Sardës (Shurdhah), dikur një qytet mesjetar. Në ditët e sotme, ju mund të vizitoni rrënojat e fortifikimit të saj dhe katedralen e mrekullueshme, midis bukurive të tjera historike.

 

Rrënoja në Sardë, foto nga IntoAlbania