Hartë e fillim shekullit te XIX

Qyteti i Shkodrës është themeluar ne shek. IV para Krishtit prej fisit Ilir të Labeatëve. Ka patur një zhvillim ekonomik pasi dhe prerja e parë e monedhës daton në vitin 230 para Krishtit. Nga monedha mësohet dhe emri i qytetit në atë kohe Scodrinon dhe pastaj bëhet Kryeqytet i Mbretërisë Ilire. Në kohën e reformave të Dioklecianit, Shkodra ishte koloni romake e pastaj bëhet Kryeqytet i provincës Prevalitana. Me ndarjen e perandorisë romake Shkodra kalon nën kontrollin e Bizantit e duke parë që ishte e rëndësishme si qendër vazhdon të varet prej kishës së Romës. Duke përballuar invazionet e shumta të Barbarëve që përshkruan territorin shqiptar ndërmjet shekujve XI e XIV, Shkodra përjeton një periudhë të shkurtër vetëqeverisjeje, në pjesën e dytë të shekullit XIV(viti 1360), duke qenë kryeqendër e shtetit feudal të familjes Balshaj, përpara se të kalojë në vartësinë e Venedikut (1396-1479). Në këtë kohë rikonstruktohet Kalaja (e cila kishte filluar të ndërtohej në shek V) dhe qyteti merr emrin Scutari. Pushtimi i plotë i Shqipërisë përfundon vetëm mbas pushtimit të Shkodrës, si qyteti i vetëm i pa pushtuar nga otomanet dhe kjo ndodh 10 vjet pas vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeu, Heroi Ynë Kombëtare. Gjatë sundimit Turk Shkodra bëhet Qendër administrative por ka dhe përpjekje si ajo e familjes së Bushatlijve për shkëputje nga Stambolli. Më pas në Shkodër do të kenë selinë e tyre dhe konsullatat e fuqive të mëdha të Evropës. Me 1730 krijohet Dhoma e Tregtisë. Rilindja Kombëtare e gjen Shkodrën me 50.000 banorë por protagoniste me një rritje të vrullshme ekonomike e kulturore. Fale pozitës gjeografike si nyje e rëndësishme tregtare ndërtohet një kompleks i rëndësishëm tregtar që quhet bexhisteni ose Pazari i Shkodrës, me 2500 dyqane.Gjatë shekullit të kaluar dhe Shkodra pati zhvillim sidomos në vitet 1920 – 1939 pasi ka një administrim evropian me institucione të rregullta dhe u kryen konkretisht një varg reformash progresiste. 1939-1944 vendoset diktatura nazifashiste, e më 1945 diktatura komuniste. Sinjalet e para të demokracisë me lëvizjet e saja filluan në vitin 1990, pikërisht në qytetin liridashës të Shkodrës.

MALESIA E MADHE

Hartë e fillim shekullit të XIX

Në shekullin e XV në trevat që më parë përbënin principatën e Pultit u formuan ndarjet më të vogla etnografike.
Këto bashkësi ekonomiko-shoqërore shkuan drejt përqendrimit në shekujt e më pasmë duke marrë emrin Malësi (nga organizimi në male). Për mbrojtjen e saj, Malësia e Madhe ngriti edhe forca të bashkuara ushtarake, që luajtën rol në luftërat e ndryshme. Popullsia merrej kryesisht me blegtori. Marrëdhëniet shoqërore rregulloheshin sipas Kanunit të Maleve. E folura bën pjesë në gegërishten veriore. Tipi i banesës ishte shtëpia e zgjatur, ndërsa në shek. XX u përgjithësua një variant i kullës. Kopliku është sot qendra e Malësisë se Madhe që përmendet në shek. XV me emrin Kopenik. Në Koplikun e sipërm është kështjella e vjetër e Barlecës, që vendasit e njohin me emrin kalaja e Podgorës, e ndërtuar në shek. I-II pas Krishtit. Malësia e Madhe është treva ka janë ruajtur deri me sot gjallë cikli i kreshnikeve, përdoret lahuta e fyelli, dhe ka një tip valleje që kërcehet pa shoqërim muzikor.

PUKA

Hartë e fillim shekullit te XIX

Formimi krahinor i Pukës lidhet me periudha të caktuara historike.Në lashtësi Puka banohej prej fisit Ilir të Pirusit. Si qendër  në kazaje ka një vazhdimësi rreth 2000 vjeçare. Në hartat romake të shek. II-IV shënohet Ad Picaria (që në shqip ka kuptimin e “në peshve”, sot lagje me ketë emër), qytet shënuar “XXX” milje në verilindje të Lissusit, në udhën verilindore “Lissus e Scodra-Dardani”. Në shek. VI në veprën ndërtimet të kohës së sundimit të perandorit Justinian, kështjella e Pukës (Pucas) shënohet si një nga kështjellat me të rëndësishme të Ballkanit. Nga mesjeta e hershme deri në shek. XIII, Puka përbënte këndin juglindor të Principatës së Gentës si dhe krahinën Pulatum. Në shek. XII-XV Puka është qendër e principatave të Dukagjinit. Rezistenca e gjatë anti osmane u kurorëzua me sigurimin e autonomisë krahinore por me pasoja të rënda, pastaj, me Rilindjen Kombëtare u arrit një farë përtëritjeje nëpërmjet forcimit të lidhjeve krahinore (deri në Kosovë). Në vitet 1878-1881 dhe në 1885 Puka u bë mbështetje e sigurtë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Krahina e Pukës u përfshi në të gjitha rezistencat kundër serbo-malazezeve, austro-hungarezeve dhe atyre të dy luftërave botërore.