Përshëndetja në takimin:
Në mbështetje të decentralizimit dhe zhvillimit lokal-Përvoja zvicerane në Rajonin e Shkodrës
Shkodër, më 10.02.09
Gjovalin KOLOMBI
E nderuara Zj.Yvana Enzier, ambasadore e Zvicrës
I nderuar Z. Ferdinand Poni, zv/ministër i brendshëm
I nderuar Z.Maxhid Cungu, Prefekt i Shkodrës
Të nderuar Kryetarë të Qarqeve
Të nderuar Kryetarë Bashkive dhe Komunave, partnerë në projekt
Të nderuar zonja dhe zotërinjë
Para sëgjithash më lejoni, që në emër të Këshillit të Qarkut Shkodër, të falënderoj Qeverinë zvicerane, Ambasadën e saj, Agencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Intercooperacion zviceran në Shkodër , si dhe Ministrinë tonë të Brendshme për mbështetjen e vyer financiare dhe teknike që i kanë dhënë Komunave dhe Bashkive përfituese nga Programi i Decentralizimit dhe Zhvillimit Lokal. Gjithashtu dua të falënderojë kryetarët e Bashkive dhe Komunave partnere, për bashkëpunimin e treguar në realizimin e deritanishëm të këtij programi. Rezultatet janë të prekshme dhe impresionuese. Përveç kontributit të cmuar për forcimin e kapaciteteve dhe investimeve të rëndësishme konkrete, në sajë të këtij programi dhe punës së lavdrueshme të Interkooperacionit në Shkodër, ne kemi sëfundi botimet kualitative dhe udhërrëfyese, sic janë Planet e veprimit strategjike për 6 njësitë vendore partnere, që do të jenë një bazë të dhënash e cmuar për hartimin e Strategjisë së Zhvillimit të Qarkut Shkodër. Dëshiroj të them se megjithëse filozofia e programit ka qenë bashkëpunimi i drejpërdrejtë i donatorit me bashkitë dhe komunat partnere, bashkëpunimi i Interkooperacionit me Këshillin e Qarkut ka njohur vazhdimisht rritje. Këshilli i Qarkut, me rolin koordinues të tij ka qenë një partner aktiv në program. Përfshirja kohët e fundit e Këshillit të Qarkut në vlerësimin e Projektit më mirë si edhe e KRRT së tij në miratimin e Planeve të zhvillimit të 6 njësive vendore, është një tregues i forcimit të këtij bashkëpunimi. Nuk mund të mos përmendim edhe kontributin e drejtpërdrejtë të SDC në realizimin e disa projekteve të Këshillit të Qarkut sic ishte financimi i botimit shumë përfaqësues “Shkodra, vlera tinglluese”, financimi i realizimit të dy filmave dokumentarë kushtuar “Dukagjinit turistik”, për të cilat shprehim falënderimin dhe mirënjohjen tonë. Duke kërkuar lejen tuaj dëshiroj të ndalem shkurt në disa konsiderata lidhur me procesin e decentralizimit.1. Decentralizimi, si një transferim i autoritetit dhe përgjegjësive në shërbimet publike nga pushteti qëndror në pushtetin vendor, përfshin aspektin politik, aspektin administrativ dhe atë financiar, por ai nuk është shkarkim i përgjegjësive, apo ndarje e pushtetit qëndror me atë vendor. Zhvillimi i vendit, progresi në të gjitha fushat e jetës, kërkon një qeverisje efektive në shërbim të komunitetit, që vjen si rezultat i partneritetit dhe bashkëpunimit të të gjithë aktorëve që përfshihen në bashkëpunim. Autonomia shërben për të ndërtuar standarte të reja bashkëveprimi ndërmjet niveleve të ndryshme të qeverisjes. Në këtë kuptim Këshilli i Qarkut Shkodër, si institucion vendor i nivelit të dytë, në marrëdhëniet e bashkëpunimit me Komunat dhe Bashkitë, është udhëhequr nga dy parime të rëndësishme që burojnë nga ligjet në fuqi: Respektimi i autonomisë dhe mbështetja fort në institucionin e marrëveshjes.
2. Realiteti aktual është në përballje me vizionin e zhvillimit të qarkut sipas standarteve të BE. Ky realitet, i konstatuar dhe i pranuar nga disa kryetarë komunash dhe bashkish, gjatë tureve studimore jashtë shteti, të organizuara nga SDC, kërkon angazhim dhe rritje të kapaciteteve të Këshillit të Qarkut për të ushtruar rolin kushtetues, funksionet ligjore në kuadër të decentralizimit, për një shërbim shumë më cilësor e standart ndaj komunitetit. Funksionet e rajoneve (qarqeve) në vendet evropiane, jane te percaktuara qartë në dokumenta themelorë dhe në aktet ligjore dhe nënligjore. Ato janë shprehje juridike e realitetit shoqëror, natyror, kulturor dhe ekonomik të rajonit. Me kompetenca të percaktuara qartë dhe me një buxhet të mjaftueshëm ato luajnë me të vertetë rolin, për të cilin janë krijuar: zhvillimin rajonal në tërësi dhe komunave në veçanti si dhe vendosjen e standarteve rajonale të sherbimeve dhe ndërtimeve.
3. Vizioni i përgjithshëm i Këshillit të Qarkut Shkodër është promovimi i parimeve kombëtare dhe evropiane të zhvillimit rajonal, të cilat konsistojnë në prezantimin e mekanizmave të rinj të bashkëpunimit ndërmjet Institucioneve të nivelit qëndror me Këshillin e Qarkut, dhe këtij të fundit me komunat dhe bashkitë, në harmoni të plotë me politikat shtetërore dhe në interes të komunitetit të bashkive dhe komunave të qarkut. Në këtë kuptim Këshilli i Qarkut, duke u mbështetur në VKM për SNZHR-në, në pritje të miratimit të Ligjit përkatës, të miratimit të ligjit të ri “Për Qarqet”, ligjit të ri për Planifikimin hapsinor (urbanistikën), si dhe në përputhje me rekomandimet e BE, po punon që të jetë:
• Qendër e mbledhjes dhe analizimit të të dhënave të komunave dhe bashkive, dhe e vënies së tyre në shërbim të të gjithë atyre që hartojnë dhe zbatojnë projekte.
• Qëndër e hartimit të strategjisë së zhvillimit rajonal dhe sektorial dhe e zbatimit të saj në komuna dhe bashki.
• Qëndër e koordinimit të veprimeve ndërmjet donatorëve dhe përfituesve, komuna dhe bashki, për të patur një zhvillim të përgjithshëm dhe të mirëekuilibruar rajonal dhe sektorial, me përparësi zonat e pafavorizuara.
• Qëndër e ngritjes së kapaciteteve lokale për të përballuar sfidat që kërkon bashkëpunimi me BE:
a. Këshilli i Qarkut fillon të ndihmojë komunat ose bashkitë, me kapacitetet të pakta njerëzore, për të hartuar projekte në përputhje me standartet e BE-së për përfitim të fondeve të saj. Së shpejti specialistë të Këshillit të Qarkut, të asistuar nga ekspertë të huaj, do të aplikojnë me projektet e veta sipas standarteve të BE, me partnerë komunat e bashkitë tona dhe ato të Malit të Zi.
b. Këshilli i Qarkut, që nga dita e sotme, pasi ka realizur me sukses dy prokurime të veta elektronike, për ndërhyrje në rrugë rurale, është i gatshëm të ndihmojë të gjitha komunat dhe bashkitë në tenderimet elektronike të tyre.
• Këshilli i Qarkut është vendi ku do të administrohet me kompetencë të plotë ligjore dhe morale të fondeve të pritshme nga donatorë, që përbëjnë atë buxhet që tashmë ka marrë emrin “fondi i besimit”, fond nga i cili, nëpërmjet granteve konkuruese, do të përfitojnë ekonomikisht dhe teknikisht të gjitha komunat e bashkitë aplikuese.
• Ai tashmë është qëndër e promovimit të gjithshkaje të mirë të realizuar nga vetë Këshilli i Qarkut, ashtu dhe nga komunat dhe bashkitë, madje dhe nga individë të shquar. Faqja e jonë e re e internetit, në dy gjuhë, është një dritare e hapur, nga ku mund të shifet e gjithë veprimtaria e Këshillit të Qarkut Shkodër. Aty janë pasqyruar dhe do të pasqyrohen investimet e shumta të kryera nga Komunat dhe Bashkitë e qarkut tonë, gjatë tre viteve të fundit, me grantet e buxhetit të shtetit dhe nga të ardhurat e tyre
Faleminderit për vëmendjen