Galeria e qytetit të njohur për artin dhe kulturën e tij të pasur ofron një hyrje gjithëpërfshirëse por intime në artin dhe kulturën e të gjithë Shqipërisë.
Galeria e qendrës kulturore të veriut është një ndalesë vërtet frymëzuese për ata që vlerësojnë artet pamore shqiptare. E hapur çdo ditë të javës, përveç të dielës, galeria ka një fond të pasur punësh të piktorëve lokalë dhe atyre kombëtarë. Brenda koleksionit të Galerisë së Arteve të Shkodrës gjeni rreth 700 piktura, skulptura, vizatime, fotografi, si edhe vepra të tjera të realizuara nga artistë shqiptarë gjatë shekullit të fundit, të gjitha të ekspozuara në dy sallat e saj.
Ekspozita permanente
Ndryshe nga shumë galeri lokale, ky institucion është rezidenca e një ekspozite të përhershme me punët më të zgjedhura të autorëve që janë “strehuar” në këtë galeri.Koleksioni, i cili mund të shihet përherë nga publiku, përfshin vepra nga periudha e Rilindjes, ajo e pas Luftës së Dytë Botërore, Realizmit Socialist e deri në vitet e fundit te fillimshekullit të ri. Rrugëtimi i artit kombëtar ndër vite, duke arritur deri në artin bashkëkohor, jep një ide mjaft të qartë jo vetëm të artit por edhe të historisë së vendit. Fatmirësisht, keni mundësinë të shihni disa vepra të koleksionit që mban galeria këtu.
Ekspozita qendron e hapur nga e Hëna në të Premte, ora 09:00-15:00, dhe të shtunën, ora 09:00-14:00.
Shekulli i të gjithë piktorëve shkodranë
Në galerinë e Shkodrës do të njiheni me Kolë Idromenon, themelues i shkolles së re figurative të shekullit të XX-të, Ndoc Martinin, Simon Rrota, Andrea Kushi, Zef Kolombi e deri tek Danish Jukniu, frymëzues i një brezi tjetër piktorësh që shenjuan jetën kultutore të qytetit. Edukimi i shumë prej artistëve në shkollat artistike perëndimore ndikoi në stilin e tyre realist, një frymë që gjendet në veprën shqiptare të mëvonshme. Autorët prezantojnë një figuracion të gjallë e plot ngjyra i cili përcjell bashkë dramaticitetin e kohëve të vështira të qytetit dhe dashurinë pa kushte të kësaj zone për artin dhe lirinë.Për listën e plotë të artistëve të perfaqësuar në Galerinë e Arteve të Shkodrës
Shkodra e rrethuar nga diktatura
Shkodra nuk është një zonë me histori të zakonshme. Qyteti ka hedhur rrënjë që në shekullin IV p.e.s dhe njihet si fortesë domethënëse e rezistencës kulturore, lirisë fetare dhe mbrojtjes prej pushtuesve. Por ajo çfarë qytetin e shenjoi më shumë është koha e diktaturës. Shkodra është qyteti më i goditur pas luftës së Dytë Botërore nga diktatura, për shkak se ishte djepi i familjeve të mëdha, me trashëgimtarë të studiuar në shkollat më të mira të Evropës Perëndimore. Në galerinë e Shkodrës pjesa më e madhe e veprave i përkasin periudhës së pas luftës dhe gjurmët e jetës së shkodranëve i dallon në kompozime, qofshin këto pikturë apo skulpturë.
Galeria e Shkodrës nuk është vetëm një pikë takimi mes vizitorit dhe artistit. Ajo është së fundmi streha e bisedave për historinë e artit, për postmodernizmin, për ndikimin e kohëve dhe politikës në artet pamore shqiptare dhe jo vetëm. Ndaj vizitoni herë pas here hyrjen virtuale të galerisë, për të ndjekur qytetin që skicohet mbi kavaletet e artistëve. Për aktivitetet e galerisë, vizitoni kalendarin e eventeve.