Fjala ne takimin “Prodhimet artizanale si potenciale te zhvillimit te turizmit ekologjik dhe  mekanizem alternativ punesimi”  30.01.09

Të nderuar pjesëmarrës
   
Fillimisht më lejoni të sjell përshëndetjet e Këshillit të Qarkut Shkodër në këtë veprimtari të rëndësishme kushtuar zejtarisë dhe artizanatit, kësaj dege shumë të rëndësishme të kulturës dhe ekonomisë. Në prodhimet artizanale ndihet fort shpirti krijues e vullneti i artizanit, që fillon dhe mbaron një punim artistik të tij. Zejtaria, artizanati lindën si nevojë njerëzve për të lehtësuar dhe përmirësuar gjithnjë e më tepër jetën e tyre. Ato janë të hershme sa njerëzimi, që nga koha e prodhimit të veglave prej guri e metali e deri në ditën e sotme në punën e dorës për modelimin e pajisjeve më moderne. Prodhimet e hershme në kohë, prodhime të trevave të ndryshme, prodhime që kënaqin shtresa të ndryshme të shoqërisë, prodhime të krijuara në kushte të caktuara shpirtërore, pasqyrojnë një stad zhvillimi, një gjendje politiko-shoqerore dhe ekonomike të vendit, prandaj ato janë një element i rëndësishëm i historisë sonë.     Shoqëria moderne e konsumit, e ngopur me prodhime në seri industriale, po kthen gjithnjë e më tepër vëmendjen e saj në vlerat e papërsritshme të artizanatit të mirëfilltë. Këtë tendencë të përgjithshme duhet ta shfrytëzojmë në dobi të ekonomisë sonë individuale dhe shoqërore. Prodhimet artizanale nuk njohin kufij shtetesh, ato janë një mjet shumë i rëndësishëm i bashkëpunimit, sidomos atij kufitar.Komuniteti evropian ka hapur programin e  zhvillimit IPA-Cross-border Shqipëri -Mali i Zi, ku përfitues të drejtpërdrejtë janë Qarku i Shkodrës dhe komunat kufitare të Malit të Zi. Ky është një rast i mirë për hartimin e projekteve të përbashkëta për inkurajimin e artizanatit në në trevat përfituese.     Qarku i Shkodrës (Shkodra, Malësia e Madhe , Puka) është i njohur për prodhimet artizanale. Punimet më në zë të artizanatit si punimi i objekteve prej druri, bakri, argjendi me filigran, si orendi shtëpijake dhe mjete zbukurimi; prodhimi i objekteve prej qeramike, si tava, enë, qypa; prodhimi objekteve prej leshi, pambuku dhe mëndafshi si qilima, sixhade, canta, shtroje, qëndisja, qepja e kostumeve popullore; prodhimi i objekteve me pirografi në dru dhe rimeso si, kuti, arka nusesh, vazo dhe riprodhime të pikturave të njohura; punimet prej kashte si kosha karrike tavolina mbështjellëse shishesh; punimet prej shqope si llulla, vazo, kuti, pagure; punime guri, alabastri, kocke e briri, xunkthi e kashte, kanë qenë një jo vetëm mjete të i plotësimit të nevojave të përditshme jetësore dhe shpirtërore banorëve të tij, por edhe një burim i rëndësishëm i ardhurave të tyre. Ato kanë qenë të kërkuara jo vetëm në vend, por edhe në tregjet e Evropës. Kjo traditë po rikthehet po gjallërohet. Mjetet moderne dixhitale, që tashmë kanë hyrë dhe po hyjnë në cdo familje, nuk mjaftojnë për të përmbushur nevojat e njeriut sidomos ato kulturore, estetike dhe shpirtrore të tij.
    Megjithe ndryshimet e mëdha, që janë bërë tek ne këto vitet e fundit, nuk duhet të theksojmë se investimet në këtë sektorë nuk kanë qenë në nivelin që kërkohet. Kjo ka sjellë si rrjedhojë mungesën e politikave të marketingut si dhe tregjeve të shitjes së këtyre produkteve. Këto mungesa janë reflektuar tek veprimtaria e bizneseve të vogla, të cilët kanë prodhuar vetëm për tregjet e brendshme, pa patur mundësi lidhjen e kontratave të qëndrueshme dhe afatgjata në tregjet Evropiane. 
    Për të arritur përmirësimin e kushteve të biznesit artizan është i nevojshëm një angazhim më i madh i vetë artizanëve, institucioneve lokale përkatëse, shoqatave artizane, pushtetit lokal, komuna, bashki, qarku si dhe institucioneve qeveritare.
    Çfarë është realizuar deri tani? Qeveria Shqiptare ka miratuar Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit të Turizmit, e cila i jep prioritet të veçantë zhvillimit dhe mbështetjes së biznesit artizanal si mekanizëm i rëndësishëm i atraksionit turistik.  Nga ana tjetër organizata të tilla si “Shoqata Kombëtare e Turizmit”, Dhoma e Tregëtisë, Qendra Rajonale e Mjedisit, GTZ etj përmes programeve të tyre kanë kontribuar jo vetëm në promovimin e prodhimeve artizanale por njëkohësisht edhe në nxitjen e prodhimeve të tilla përmes organizimit të panaireve të shumta që organizohen në nivel kombëtar, lokal dhe me gjërë. Disa herë prodhimet të qarkut të Shkodrës kanë qënë pjesë e panaireve ndërkombëtare, ku artizanale janë prezantuar vlera, kultura dhe tradita e mrekullueshme e artizanatit tonë.
Në ndjekje të strategjisë Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit të Turizmit,  Këshilli i Qarkut të Shkodrës po ndërton strategjinë e vet. Turizmi kulturor artizanal do të jetë një prioritet i punës sonë në të ardhmën. Këtë prioritet do ta vendosim edhe në kuadrin e programit IPA- crossborder të qarkut tonë me komunat kufitare të Malit të Zi.  Në faqen e internetit të Këshillit të Qarkut Shkodër do të pasqyrohen vlerat më të mira të artizanatit të trevës sonë
Duke përfunduar më lejoni t’i uroj punë të mbarë takimit të sotëm dhe të premtoj angazhimin e Këshillit të Qarkut për një mbështetje më të fortë dhe të kualifikuar për këtë degë të rëndësishme për ekonominë dhe kulturën e qarkut tonë.
Ju faleminderit