Shkodër, më 01.02.2009

Të nderuar pjesëmarrës
Jemi mbledhur sot në Shkodër, në vigjilje të 2 Shkurtit, Ditës Botërore të Tokave të Lagura, për të folur  në veçanti për zonat e lagura rreth Liqenit të Shkodrës, i kthyer tashmë në liqenin e miqësisë ndërmjet dy popujve tanë. 2 Shkurti  është  dita në të cilën  institucionet qeveritare të të  gjitha  niveleve, institucionet rajonale dhe lokale, organizatat  jo  qeveritare dhe  mbarë komuniteti bëjnë bilancin e punës së tyre në përmbushje të detyrimeve që ato kanë ndaj konventës  Ramsar. Është dita kur më shumë se në çdo ditë tjetër kërkojnë përgjigje pyetjet: Çfarë kemi bërë? Çfarë jemi duke bërë? Çfarë do të bëjmë? për të mirëmenaxhuar këtë pasuri të madhe që na takoi neve, shqiptarë dhe malazezë. Nga ana tjetër, nëpërmjet veprimtarive kushtuar kësaj dite, kërkohet të rritet ndërgjegjësimi i opinionit  publik lidhur me vlerat e tokave të lagura, si për ruajtjen e ekosistemit, ashtu edhe për përfitimet ekonomike që mund të nxirren nga pasuria mjedisore dhe turistike e tyre. Në këtë kontekst sot jemi sëbashku jo vetëm për të risjellë ndërmend arritjet dhe për të shpallur nismat në mbrojtjen dhe zhvillimin e zonave të lagura rreth liqenit, por edhe për të treguar shqetësimet tona.
Më i madhi në gadishullin e Ballkanit, Liqeni i Shkodrës është një ekosistem me një biodiversitet shumë të larmishëm. Për këtë arsye zona rreth Liqenit të Shkodrës dhe në dy anët e lumit Buna është shpallur tashmë një zonë e mbrojtur, madje ajo është vënë në mbrojtjen e konventës RAMSAR. Në nivel  botëror  janë klasifikuar 1828  zona  të lagura, me një sipërfaqe prej 1.690.000 km katror. Baseni i Liqenit të Shkodrës është një nga këto zona. Juridikisht zona shqiptare rreth liqenit është Zonë e mbrojtur ose Rezervat natyror i menaxhuar, ndërsa zona malazeze e liqenit është shpallur me kohë Park Kombëtar. Përvec zonave rreth Liqenit të Shkodrës dhe lumit Buna, në qarkun e Shkodrës ka edhe disa zona të tjera lagura si, Rezervati Velipojë, Plazhi i Baks – Rrjollit e Këneta e Domnit, për të cilat do të kërkohet rritja e shkallës së mbrojtjes institucionale.
Tokat rreth Liqenit të Shkodrës, ose tokat e lagura, janë të lidhura ngushtë me vetë liqenin. Vëmendja ndaj tyre nuk mund të shkëputet nga vëmendja ndaj tij. I pari që kërkon mbrojtje respekt dhe nderim është vetë ky basen ujor i mahnitshëm, vend relaksimi për të gjithë, frymëzim për poetët e vend kurativ për fëmijët. Megjithatë përvoja e këtyre viteve dhe konstatimi i përditshëm, sidomos në pjesën shqiptare të liqenit, tregon se shumë rregulla mjedisore janë shkelur, liqeni nuk e ka më sharmin e vet shekullor. Edhe në pjesën malazeze mendoj se ka probleme sidomos me shkarkimet e ndotjeve. Gjëndja kërkon korrigjim të shpejtë, me ndërhyrje energjike dhe adekuate.
Në të vertetë shumë veprimtari dhe nisma janë ndërmarrë dhe po ndërmerren nga institucione publike dhe shoqata, për mbrojtjen dhe perspektivat e mëtejshme të zhvillimit të kësaj zone. Mund të përmendim këtu Deklaratën e përbashkët  të Forumit për Liqenin e Shkodrës, të nënshkruar më 1.02.2006, ndërmjet disa institucioneve shqiptare dhe malazeze për mbrojtjen e natyrës në përgjithësi dhe të Liqenit të Shkodrës e lumit Buna në vecanti, si edhe për inkurajimin e zhvillimit ekonomik këtyre zonave.
Gjithashtu Këshilli i Qarkut Shkodër në mënyrë të vazhdueshme, ka ndërmarrë nisma ose ka qenë partner në projektet për menaxhimin e zonave të lagura. Në objektivat e punës së tij kanë qenë:
•    Vendosja në zonën shqiptare të Liqenit të Shkodrës e një rregjimi mbrojtjeje të njëjtë me atë të pjesës se Malit te Zi, me synimin afatgjatë për ta shpallur këtë zonë Park Kombëtar.
•    Hartimi i një plani afatgjatë e të përbashkët për menaxhimin e integruar si dhe planifikimin e burimeve financiare
•    Forcimi i dialogut dhe partneritetit mes aktorëve lokalë në të dy anët e Liqenit.
•    Zgjidhja e problemit ndërtimeve dhe infrastrukturës, për t’i disiplinuar me qëllim ruajtjen e ekosistemit dhe uljen e ndotjeve të liqenit.
•    Ndërhyrja me projekte pilotë në zonat të tilla si Shiroke, Zogaj, Stërbeq, Kamicë e Flakë për krijimin e fshatrave turistike.
•    Realizimi i studimeve urbanistike të zonave të banuara deri në nivel qyteti, fshati e zone.
Cila është gjendja sot?
Për Liqenin dhe zonën përreth tashmë janë në veprim disa projekte, ndër të cilat:
1.    Banka Botërore po vë në veprim projektin:  “Menaxhimi i integruar i ekosistemit të Liqenit të Shkodrës” në të cilin pas analizës së kryer të situatës social ekonomike të banorëve në të dy anët e kufinit, po ndërmerret implementimi i programit strategjik të veprimit konkret.
2.    GTZ ka disa projekte:
a. “Koncepti mbi zhvillimin ndërkufitar -Liqeni i Shkodrës”, i përfunduar në një botim cilësor, që ka si objektiv kryesor, menaxhimin e një zhvillimi të qëndrueshem ndërkufitar të Liqenit te Shkodres
b. Planifikimi hapesinor (studimi urbanistik) për zonën Zogaj –Shirokë, në mbështetje të Bashkisë Shkodër. Sipas këtij studimi, kjo zonë do të kthehet në një vend të bukur turistik, pa prishur mjedisin. Janë planifikuar kanale, pajisje filtruese të ujrave të zeza, ndricimi etj.
c. Koncepti i bashkëpunimit ndërkufitar ndërmjet krahinave të Tuzit (Mali i Zi) dhe Koplik, Gruemirë, Kastrat, Qendër (Shqipëri). Në përfundim të projektit do të hartohet një Plan zhvillimi hapsinor, i cili do të evidentojë mundesitë e një zhvillimi të integruar e të qëndrueshëm në dy anët e kufirit.
3. Projekti Wetsys B, Interreg Itali- Shqipëri, me objektiv rajonal promovimin e fushatave sensibilizuese  e popullarizuese, lidhur me rëndësinë e mbrojtjes dhe të përdorimit të zonave të lagura.
4.    Me rajonin Molize Itali, dhe në bashkëpunim me Teuleden  do të hapet në Shirokë pika e informimit turistik.
5.    Ne bisedime jemi me Rajonin e Pulias per projektin: “Rikualifikimi mjedisor në pellgun e Liqenit Shkodër”, financim i Qeverisë italiane
6.    Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Shkodrës, dega e turizmit ka realizuar guiden ciklistike rreth Liqenit të Shkodrës në të dy anet e kufirit, e cila është një material mjaft i rëndësishëm promovues për turizmin në qarkun tonë.
7.    Këshilli i Qarkut po nxjerrë një botim të rëndësishëm me hartat ekologjike të zonës shqiptare rreth Liqenit.
Duke përfunduar dëshiroj të shpresoj, të besoj dhe në emër të Këshillit të Qarkut Shkodër të uroj, që të gjitha këto energji dhe mjete financiare, jo të vogla, të përfundojnë me rezultate konkrete, të dukshme dhe të dobishme, në shërbim jo vetëm të komunitetit të zonave të lagura, por edhe më gjërë.
Ju faleminderit