Këshilli i Qarkut Shkodër i akordoi titullin “Nderi i Qarkut Shkodër” artistit të shquar të mozaikëve Myftar Cubi .

Ky titull iu dorëzua nga Kryetarja e Qarkut Greta Bradeli me motivacionin “Për vlerat e veçanta artistike në fushën e realizimit të mozaikëve dhe për promovimin e vlerave dhe traditave me anë të këtyre veprave artistike”.

Vetë Myftar Cubit tha se ndihet i vlerësuar nga nderimi që i bëri këshilli i qarkut Shkodër

Për figurën e Myftar Cubit dhanë vlerësime edhe figura të njohura të qytetit
Veprat nuk janë piktura apo skulptura, por mozaikë të krijuar me gurë natyrorë, të pangjyrosur, të cilët formojnë kryesisht portrete.

Ndër to, disa prej figurave më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, nismëtarë të shpalljes së pavarësisë, si dhe buste grash shqiptare me aksesorë të dallueshëm popullorë.

Myftar Cubi lindi në Koplik të Shkodrës në vitin 1954. Është diplomuar në degën e pikturës monumentale në Akademinë e Arteve të Bukura. Aktualisht mban titullin “Master i Pikturës” të akorduar nga Universiteti i Prishtinës dhe vazhdon studimet doktorale pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë.