Sot, më 13 Shkurt 2024, në zyrën e tij, Kryetari i Këshillit të Qarkut, z. Edmond Ndou, pati në një takim miqësor me delegacionin e fondacionit not-for-profit “Prek Cali” me seli në Nju Jork. Delegacioni kryesohej nga z. Nikollë Grishaj, President, dhe zotërinjtë Anton Tinaj dhe Aleksandër Laçej anëtarë të bordit të këtij fondacioni.

Pas urimeve për detyrën, biseda u përqendrua në rolin që ky fondacion, si dhe organizatat tjera shqiptare në diasporë, po luajnë për të rritur reputacionin e vendit në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në Nju Jork, një qendër e rëndësishme në botë. z. Grishaj theksoi se motoja e tyre është të ndihmojnë vendlindjen dhe Shqipërinë. Ata paraqitën disa ide për të financuar projekte historiko-kulturore në zonën e Vermoshit për të përkujtuar figurën e Prek Calit, vlerat historike dhe etnografike të zonës, si xhubleta e cila është tashmë e njohur ndërkombëtarisht dhe e mbrojtur nga UNESCO. Fondacioni gjithashtu ofroi ndihmë në rastin e një shtëpie të dëmtuar nga zjarri, që duhet të ri-konstruktuar me donacionet e tyre.

Në fjalën e tij Kryetari Ndou tha: “Përfaqësuesit e diasporës shqiptare janë një aset dhe në Këshillin e Qarkut Shkodër do të gjejnë përherë një derë të hapur për bashkëpunime dhe kontribut konkret për komunitetin e 5 bashkive të qarkut tonë. Kënaqësi të prisja drejtues dhe anëtar të Fondacionit “Prek Cali” në New York, me të cilët biseduam mbi mundësitë e bashkëpunimit dypalësh.

Kontributi i tyre ka qenë i vyer për vendlindjen në këto 3 dekada dhe i shpreha mirënjohjen time për çdo punë të bërë në komunitet.

Ashtu siç me kënaqësi shpreha gatishmërinë të jem krah tyre në iniciativat që do të ndërmarrin, një prej të cilave edhe ajo për ndërtimin e kullës së prijësit të Kelmendit, Prek Calit. z. Nikollë Grishaj, president i fondacionit “Prek Cali” New York, si dhe anëtarët e bordit, z. Anton Tinaj dhe z. Aleksandër Laçej, por edhe të gjithë shqiptarët kudo në botë, janë modele që sot më shumë se kurrë kemi nevojë t’i promovojmë dhe t’i kemi në krah përballë sfidave të reja që e presin Shqipërinë në rrugën e saj integruese në familjen europiane.”

Në këtë takim ishte i pranishëm dhe zëvendës Kryetari i Këshillit të Qarkut zoti Lulzim Zaraj.