Shkodër, 20 Dhjetor – Në ambientet e stadiumit “Loro Boriçi” në Shkodër, me iniciativën e gazetarit sportiv Gjergj Kola, u zhvillua një ceremoni e veçantë për të nderuar sportistët më të mirë të vitit 2023 të klubit Vllaznia.
Ngjarja u karakterizua nga prania e sportistëve nga të gjitha disiplinat, trajnerëve dhe drejtuesve të pushtetit lokal.
Gjatë ceremonisë, Kryetarja e Këshillit të Qarkut Shkodër theksoi nevojën për të punuar më shumë në mbështetjen dhe ndihmën e talenteve sportive, duke përfshirë ato që sot po nderohen si dhe të tjerët që me sakrifica po ecin në rrugën e vështirë të sportit.
Ajo shtoi se mbështetja mund të vijë jo vetëm nga pushteti, por edhe nga donatorë të ndryshëm, me qëllimin për të rritur cilësinë e sportit dhe për të siguruar një përfshirje më të gjerë të të rinjve të qarkut.
Ky event solli në vëmendje rëndësinë e sportit si një mjet për zhvillimin e të rinjve dhe nxitjen e shëndetit dhe mirëqenies në komunitet. Këshilli i Qarkut Shkodër dhe organizatorët e ngjarjes shprehën kënaqësinë e tyre për suksesin e kësaj ceremonie dhe premtuan vazhdimësinë e mbështetjes së talentëve sportivë në rajon.