23 Nëntor 2023
Samiti i Barcelonës për Makrorajonin e Mesdheut
Me ftesë të Presidentit të Generalitat të Katalonjës, z. Pere Aragonès, dhe Drejtoreshës së Përgjithshme për Marrëdhëniet e Jashtme, znj. Meritxell Serret, një delegacion i udhëhequr nga Kryetarja e Këshillit të Qarkut Shkodër, znj. Marina Duhani, dhe Drejtori për Marrëdhëniet me Jashtë, z. Andrea Jakova, morën pjesë në Samitin e Barcelonës, i cili u zhvillua në selinë e këtij rajoni.

Ky event synoi të kontribuojë në zhvillimin e një strategjie të re makro-rajonale të BE-së për Mesdheun. Në panelin e samitit, ishin të pranishëm personalitete të shquara nga Spanja dhe BE, si Pascual Ignacio Navarro Ríos, Sekretar i Shtetit për Marrëdhëniet me BE, Younous Omarjee, President i Komisionit të Zhvillimit Rajonal në BE, eurodeputetë dhe drejtues të rajoneve dhe institucioneve europiane të Mesdheut.

Znj. Duhani, në fjalën e saj në seancën plenare, theksoi: “Sot jam e nderuar të përfaqësoj Këshillin e Qarkut të Shkodrës në Shqipëri, një nga anëtarët themelues të Eurorajonit Adriatiko-Jonian dhe të komitetit ekzekutiv të tij.

Si anëtar i Byrosë Politike, i Komisionit Ndër-mesdhetar të CPMR dhe pjesë e Asamblesë së Rajoneve të Europës, kemi mbështetur që nga fillimi iniciativën e Aleancës së Bashkëpunimit Mesdhetar dhe përpjekjet për të promovuar një strategji makro-rajonale për Mesdheun..”

Ajo gjithashtu theksoi nevojën për bashkëpunim të ngushtë mes vendeve dhe rajoneve të brigjeve veriore dhe jugore të Mesdheut. Znj. Duhani beson se një strategji evropiane e integruar për rajonin, e mbështetur në një arkitekturë qeverisjeje me shumë nivele, do të adresojë sfidat e përbashkëta dhe do të forcojë bashkëpunimin ekzistues në këtë zonë.
Gjithashtu, znj. Duhani theksoi nevojën për të rritur rolin e autoriteteve rajonale dhe lokale në qeverisjen e strategjisë makro-rajonale. Sipas saj, strategjia e re Mesdhetare duhet të zbatojë në praktikë parimet e qeverisjes me shumë nivele, duke i dhënë një rol të qartë autoriteteve rajonale dhe lokale.

Në panelin teknik të moderuar nga CPMR, u diskutuan mundësitë që ofron qarku i Shkodrës për të qenë pjesë aktive e këtij organizmi. Shkodra, një qark në veri të Shqipërisë, i njohur për historinë e tij të pasur, pozicionin strategjik dhe resurset natyrore, ka një rëndësi të madhe si pikë tranziti midis Europës Perëndimore dhe Ballkanit. Përmirësimi i infrastrukturës, si rrugët dhe lidhjet hekurudhore, do të ndihmojë në integrimin e qarkut të Shkodrës në rrjetin e transportit të Mesdheut dhe do të rrisë ndikimin e tij në ekonominë rajonale dhe ndërkombëtare.

Samiti përfundoi me një deklaratë që kërkon krijimin e një makrorajoni Mesdhetar, i cili do të ofrojë hapësira dhe dinamika të përbashkëta të punës për të përcaktuar gradualisht strategjitë, veprimet dhe burimet ekzistuese në mënyrë efektive. U bë thirrje Shteteve Anëtare të BE dhe presidencës aktuale spanjolle të BE të ngarkojnë Komisionin Evropian të punojë në krijimin e një Strategjie të Integruar të BE-së për Rajonin Mesdhetar ‘EUSMED’ dhe të konsultojë të gjithë aktorët përkatës në shkallën e qeverisjes së shumë niveleve për përcaktimin e planit të veprimit.