Zhvillohet në Budva të Malit të Zi, Kongresi i 13 i Gruas Sipërmarrëse.
Sot në Budva të Malit të Zi, u zhvillua kongresi i 13 i gruas sipërmarrëse të makrorajonit Adriatik-Jon.

Me ftesë të Dhomës së Ekonomisë të Malit të Zi si dhe partnereve të Projektit AI-NURREC Plus, në takimet e këtij kongresi mori pjesë dhe Kryetarja e Këshillit të Qarkut Shkodër znj. Marina Duhani.

Ndër të tjera në fjalën e saj znj. Duhani tha: “Jam një politikbërëse e re ndaj mendoj se kam për detyrim të përcjell para jush rolin që ka sot gruaja sipërmarrëse në Shqipëri dhe në qarkun e Shkodrës.
Bizneset e drejtuara nga gratë janë 3 herë më të pakta, se sa ato që zotërohen nga burrat, por ato kanë dhënë shumë rezultat në fuqizimin ekonomik të qarkut dhe në uljen e varfërisë.

Roli i gruas sipërmarrëse në shumë projekte të qarkut tonë ka qenë në fokus kryesor, gratë artizane të zonave përreth Shkodrës kanë qenë dhe janë pjesë e trajnimeve për përmirësimin e produktit, ato kanë marrë pjesë në panaire kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe është krijuar marke lokale e artizanëve.

Pjesëmarrja e tyre nuk është vetëm me pune por edhe në dhënien e ideve për përmirësimin e klimës dhe atmosferës se biznesit. Katër gra sipërmarrëse në qarkun e Shkodrës e konkretisht në Theth, Fushë Arrëz, Kelmend dhe Shkodër janë nderuar me çmimin “Gra të suksesshme në zonat rurale” akorduar nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Grave (UN Women).

Por në të njëjtën kohë mendoj se duke bashkëbiseduar me Ju arrij të kuptoj se cilat janë praktikat e mira që kanë funksionuar deri tani në zonën e Adriatik Jon, për ti përshtatur ato me realitetin dhe strategjitë tona rajonale dhe lokale.

Duke përfunduar ajo shtoi: Dëshira, ambicia dhe vullneti i mirë të na prijë ne grave, që të bëhemi me të vërtetë një faktor i rëndësishëm për zhvillimin e komuniteteve tona, paqes dhe integrimit.