Projekti Blue NET i financuar nga Bashkimi Europian ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit dhe krijimin e një rrjeti mes SME-ve dhe institucioneve, që operojnë në industrinë detare në Rajonin e Mesdheut Lindor dhe Detin e Zi.
Një nga eventet më të rëndësishme të këtij projekti “World Café” u realizua me datë 14 Qershor 2018, në Larnaka, Qipro.
Secili partner i përfshirë në projekt, ka pasur përgjegjësinë të mbledhë pyetsorë dhe të intervistojë kompani të ndryshme detare, si dhe të përzgjedhë kompanitë që do të merrnin pjesë në eventin “World Café”. Ishin gjithsej 38 pjesëmarrës, përkatësisht 20 përfaqësues të kompanive nga Italia, Kroacia, Bullgaria, Rumania, Shqipëria dhe Qipro. Në event morën pjesë edhe 5 ekspertë të zgjedhur nga partnerët, të cilët diskutuan nevojat inovative në industrinë detare. Pesë ekspertët e përzgjedhur ishin:
Alberto MOROSO – ekspert në Sektorin e Energjisë dhe Lëndëve të Para në Ndërtimin e Anijeve, Petar GEORGIEV dhe Izvor GRUBIŠIĆ – ekspertë në Ndërtimin e Anijeve dhe Varkave, Constantinos SILITZIOTIS – Ekspert në Transportin Detar, si dhe Brunilda LICAJ – Eksperte në Sektorin e Turizmit Detar.
Pas një prezantimi të përmbledhur të projektit, secili përfaqësues prezantoi kompaninë dhe nevojat aktuale të tyre. Në vijim, ekspertët morën pjesë aktive në diskutim, ku nevojat inovative në industrinë detare u konfirmuan nga të gjithe pjesëtarët e eventit. Në këtë event kompanitë dhe ekspertët patën mundësinë të komunikojnë me njeri-tjetrin mbi bashkëpunime të mundshme në të ardhmen.