Këshilli i qarkut Shkodër kishte kënaqësinë te ishte i ftuar sot në aktivitetin e organizuar nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore në bashkëpunim me GIZ, e cila po përgatit “Planin e Menaxhimit të Rrezikut nga Përmbytjet për zonën e Shkodrës” ku përfshihet Bashkia Shkodër (Njësia Administrative Shkodër, Ana e Malit, Bërdicë, Dajç, Guri i Zi, Rrethinat dhe Velipojë) dhe Bashkia Vau i Dejës (Njësia Administrative Bushat).

Ne këte plan është bërë një vlerësim paraprak i zonave ku ekziston rreziku potencial nga përmbytjet. Mbi këtë bazë janë krijuar harta rreziku të lexueshme, të cilat lehtësojnë identifikimin e zonave të rrezikuara për përmbytje në basenin ujor Drin-Bunë dhe ndihmojnë në prioritizimin e përpjekjeve për zbutjen e pasojave dhe reagimin në kohë ndaj këtyre ngjarjeve.

Kryetari i Këshillit të qarkut Shkodër Z. Hilmi Lakti përgëzoi iniciativen dhe rëndësinë e hartimit dhe detajimit te mëtejshëm të këtij dokumenti strategjik si dhe theksoi që përmbytja vijon të mbetet kërcënim kryesor për komunitetet, prandaj menaxhimi i këtij rreziku përmes planifikimit të kujdesshëm dhe veprimeve konkrete është i rëndësishëm gjithashtu duhet të këtë një koordinim informacioni dhe veprimesh konkrete mes palëve të interesuara mbi përparësitë për të menaxhuar si duhet rrezikun nga përmbytjet.

Ky do të jetë plani i parë me të gjitha parametrat sipas kërkesave të Direktivës të BE-së për Përmbytjet, i vlefshëm për periudhën 2022-2028 dhe do të shërbejë si model për hartimin e planeve për basenet e tjera.