Projekti për krijimin e shtegut malor “Majat e Ballkanit”, i gjatësisë prej 192 kilometrash, i cili kalon nëpër Kosovë.

Projekti për krijimin e shtegut malor “Majat e Ballkanit”, i gjatësisë prej 192 kilometrash, i cili kalon nëpër Kosovë, Mal të Zi dhe Shqipëri, ka hyrë në fazën e dytë të marrëveshjes, e mbështetur nga Organizata Qeveritare Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar Deutsche Gesellschaft fur Internationale Zusammenarbeit GIZ. Pas një konference dy ditore të mbajtur në Pejë, të mërkurën është bërë nënshkrimi i marrëveshjes në mes të këtyre tri vendeve dhe partnerit gjerman GIZ.
Projekti “Majat e Ballkanit” bashkëpunim ndërkufitar Kosovë-Shqipëri-Mal i Zi do të vazhdojë me një fazë të dytë, që tani do zhvillohet përmes partneritetit-publiko privat me një firmë gjermane,  DAV Summit Club. “Majat e Ballkanit”, është zgjedhur vitin e kaluar nga Organizata Botërore e Turizmit në Abu Dabi të Emirateve të  Bashkuara Arabie, si fituese e destinacionit të parë turistik botëror për vitin 2013, duke u vlerësuar si formë unike e veçantë dhe atraktive e turizmit malor. Përfaqësues nga DAV Summit Club dhe të komunave të rajonit, të mërkurën në Pejë kanë shprehur kënaqësinë për vazhdimësinë. Projekti i ri me emrin Turizmi malor i nivelit të lartë me orientim nga klienti ne rajonin që përfshin “Majat e Ballkanit” dhe lidh përmes shtegut të ecjes dhe rekreacionit malor viset më të bukura të alpeve shqiptare si Rugovën, Vuthajt, Thethin dhe Valbonën. Ky do të jetë një projekt i suksesshëm dhe i qëndrueshëm si destinacion i njohur ndërkombëtar që do të ndikojë drejtpërdrejtë në një zhvillim të qëndrueshëm të turizmit dhe ndërtimin e urave bashkëpunimit mes banorëve por edhe vizitorëve të shumtë që do të ketë në të ardhmen përgjatë këtij shtegu, kanë thënë organizatorët e takimit të mbajtur në Pejë. Në takimin dy ditor fillimisht u diskutua mbi rezultatet e deritanishme te projektit, u paraqiten objektivat dhe rezultatet e projektit te ri ne vazhdim, u diskutua mbi forcimin dhe rëndësinë e partneritetit publik–privat dhe se si mund te replikohet eksperienca gjermane ne rastin e projektit ndërkufitar. Gjate takimit përfaqësuesja e Këshillit të Qarkut Shkodër Zj. Merita Kazazi, nënvizoi  se për të qenë i qëndrueshëm, ky projekt duhet të ketë edhe mbështetjen e administratave respektive. Për këtë Këshilli i Qarkut Shkodër ka vënë në dispozicion një fond të mjaftueshëm për vitin 2014. Ditën e fundit të konferencës u bë edhe nënshkrimi i Marrëveshjes së mirëkuptimit për zhvillimin e kësaj faze të Projektit. Në konferencën për shtyp që u mbajt menjëherë mbas nënshkrimit z. Ferid Ringaj, nënkryetar i qarkut të Shkodër, tha se faza e dytë e këtij projekti konsiston me përgatitjen e gjithë infrastrukturës së domosdoshme që ky shteg të jetë i frekuentuar dhe të vizitohet nga sa më shumë turistë. Kryetari i Pejës, z. Gazmend Muhaxheri u shpreh se “Besojmë që ky bashkëpunim do të ndihmojë që “Majat e Ballkanit”, të hyjë në agjendën turistike të Gjermanisë dhe të vendeve të rajonit.” Në nënshkrimin e Marrëveshjes ishte edhe Kryetari i komunës Plave, Malit i Zi, z. Orhan Shahmanoviç, i cili nder te tjera tha: Besoj se në fazën e dytë ne do japim  kontributin tonë maksimal që të promovohen vlerat e bukurive tona natyrore të asaj krahine”. Gjithashtu edhe përfaqësuesi i GIZ, Kosovë si përfaqësues zyrtar i GIZ tha: “Turistët do kenë mundësinë që për dhjetë ditë të shohin tre shtete, të vizitojnë tri komunitete,  me mikpritje, zakone, ushqime, dhe tradita të ndryshme në një xhiro të vetme, kemi qenë të bindur se është një formulë suksesi dhe besoj se këtë e kemi arritur”