Sot pata privilegjin të vlerësoj me titullin “Mirënjohje” një prej figurave të spikatura të mjekësisë shkodrane, Dr. Hamza Malo Vneshtën, një mjek që i kushtoi më shumë se gjashtë dekada të jetës profesionit, pacientëve dhe komunitetit.

Që nga shërbimi në Dukagjin, në kushte të vështira, e deri te puna si kirurg, drejtues dhe specialist i djegie-plastikës në Spitalin e Shkodrës, Dr. Vneshta ka lënë një gjurmë të çmuar në historinë e mjekësisë shkodrane. Edhe pas daljes në pension, përvoja dhe përkushtimi i tij kanë vijuar të jenë në shërbim të kolegëve dhe pacientëve.

Sot nderuam një mjek, por njëkohësisht nderuam edhe një brez të tërë mjekësh dhe punonjësish të shëndetësisë që i shërbyen Shkodrës me përkushtim, profesionalizëm dhe humanizëm, shpesh në kushte shumë të vështira.

Faleminderit, Doktor, për gjithçka që i ke dhënë mjekësisë dhe Shkodrës! Ky vlerësim është simbolik përballë kontributit tuaj, por është një shenjë e mirënjohjes së një komuniteti për një jetë të tërë në shërbim të njeriut.