Dua te ndaj me ju nje nisme, qe do i sherbej ne te ardhmen gjithe komunitetit te qarkut Shkoder. Zhvilluam sot takimin prezantues të projektit “Zëri im, e ardhmja ime”, një projekt pilot që po zbatohet në bashkëpunim me SOS Fshatrat e Fëmijëve Shqipëri.

Ky projekt synon të ofrojë shërbime logopedike për fëmijët në rrezik social, duke mbështetur zhvillimin e komunikimit të tyre dhe duke përfshirë në mënyrë aktive edhe prindërit e kujdestarët në këtë proces. Është një investim i drejtpërdrejtë tek fëmijët, tek mirëqenia e tyre dhe tek e ardhmja e komunitetit tonë.

Si Këshill i Qarkut Shkodër, besojmë se çdo fëmijë meriton mundësi të barabarta për t’u zhvilluar dhe për të realizuar potencialin e tij. Pikërisht për këtë arsye, partneritete të tilla mes institucioneve publike dhe organizatave me përvojë janë thelbësore për ndërtimin e shërbimeve sociale më cilësore, më të aksesueshme dhe të qëndrueshme. Jam i bindur se kjo nismë do të sjellë rezultate konkrete dhe shpresojmë që, në të ardhmen, ta shtrijmë këtë model edhe në njësitë e tjera të Qarkut Shkodër, për t’u ardhur në ndihmë sa më shumë fëmijëve dhe familjeve.