Pjesëmarrje aktive bashkëpunimi në Forumin ndërkombëtar të Henan.

Pjesëmarrje aktive bashkëpunimi në Forumin ndërkombëtar të Henan. Pas një pjesëmarrje aktive bashkëpunimi në Forumin dhe Panairin Ndërkombëtar të Henan në Republikën Popullore të Kinës, kthehet në atdhe delegacioni i Këshillit të Qarkut Shkodër i kryesuar nga Kryetarja zonja Greta Bardeli (Gjoni), i cili me Ftese të Provincës Henan mori pjesë në Forumin dhe Panairin e 2- Ndërkombëtar, Ekonomik dhe të Tregtisë për Henan dhe qytetet binjakë, organizuar në kryeqendrën e kësaj province, në qytetin  Zhengzhou, një qytet i rindërtuar para 15 vjetësh, mbi gjurmët e një qytetërimi të lashtë, por tashmë i transformuar në një nga qendrat më të mëdha ekonomiko-financiare të zhvillimit në Kinë. Gjatë qëndrimit në Henan delegacioni mori pjesë në ceremonitë e Forumit dhe Panairit në fjalë ku ishin të pranishëm të gjithë qytetet e binjakëzuar me Henan nga Turqia, India, Afrika, Uzbekistani, Afrika e Jugut, Kamboxhia, Tajvani dhe Hong Kongu, me ekspozime prodhimesh të një shkalle të lartë modernizimi elektro-mekanik. Nga ana e kryetares së delegacionit zonjës Bardeli (Gjoni) u paraqit para gjithë kësaj audience, një material i zgjeruar njohës  mbi mundësitë që ofron për   bashkëpunim territori i qarkut Shkodër. Me interes u zhvilluan dhe takimet dypalëshe me autoritetet e kësaj Province, me zëvendës Guvernatorin e Provincës Henan zotin Shi Jichun  dhe një grup drejtuesish të institucioneve në nivel teknik të kësaj Province, të drejtuara nga drejtori i marrëdhënieve me jashtë Yang Weibin. Meqenëse tashmë në mes dy palëve ka një protokoll bashkëpunimi u ra dakord që të ngrihet një grup pune i përbashkët për të kryer disa studime dhe analiza konkrete në disa sektorë të ndryshëm zhvillimi ku interesi për bashkëpunim është i ndërsjellët, si në përmirësimin e infrastrukturës, transportit dhe mbrojtjes nga ujërat, industrisë së lehtë asaj ushqimore, minerale. Muajt e ardhshëm një delegacion ekspertesh nga kjo Province pritet të vizitojë qarkun Shkodër për të verifikuar së bashku mundësitë për projekte konkrete. Mund të thuhet se edhe institucione të tjera nga Turqia, pjesëmarrës në këtë Forum, shfaqen interes për bashkëpunim me Qarkun Shkodër.