Kujtojmë me mirënjohje figurën e mësuesit Fiqiret Hoxha.
Në kuadër të 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, Këshilli i Qarkut Shkodër mori pjesë në një aktivitet përkujtimor në nder të mësuesit Fiqiret Hoxha, një figurë e respektuar që ka lënë gjurmë të thella në arsimin dhe komunitetin shkodran, organizuar nga Drejtoria e Shkollës 9- vjeçare “Skënderbej” Shkodër.

Në emër të Këshillit të Qarkut Shkodër dhe Kryetarit z. Edmond Ndou, Drejtori i Zhvillimit dhe Koordinimit, Andrea Jakova, vlerësoi kontributin e vyer të mësuesit Hoxha, duke theksuar se misioni i mësuesit është një përkushtim jetësor në shërbim të brezave dhe të së ardhmes së shoqërisë.

Gjatë aktivitetit u nënvizua se figura e mësuesit Fiqiret Hoxha përfaqëson më së miri traditën e pasur arsimore të Shkodrës, si dhe vlerat e ndershmërisë, integritetit dhe dashurisë për dijen. Trashëgimia e tij jeton në arritjet e nxënësve dhe në respektin e komunitetit që e kujton me mirënjohje.

Këshilli i Qarkut Shkodër rikonfirmon angazhimin për ta konsideruar arsimin prioritet themelor për zhvillimin e qëndrueshëm dhe për të mbështetur e nderuar figurat që kanë kontribuar në formimin e brezave.

Në këtë Ditë të Mësuesit, mirënjohja shkon për të gjithë mësuesit që vijojnë me përkushtim misionin fisnik të edukimit.