Fjala hyrëse e, në Takimin e Organizuar për Informimin mbi Programet e Bashkëpunimit Ndërkufitar
Z. Gjovalin KOLOMBI, Kryetar i Këshillit të Qarkut Shkodër
Të nderuar Zonja dhe Zotërinj,
Procesi i integrimit Evropian përfshin tashmë gjithë vendet e Ballkanit Përendimor. Deri më sot ky proces e ka pasur qëndrën e rëndesës në kryeqytetet e vendeve tona Tiranë, Shkup, Podgoricë, Prishtine etj. dhe është parë kryesisht si një çështje që i përket Qeverive qëndrore. Më lejoni të theksoj se pa përfshirjen dhe kontributin e pushtetit lokal në të gjitha nivelet, përpjekjet për integrimin Europian do të ngeleshin të cunguara, pasi nëse duam që në një të ardhme sa më të shpejt kufinjtë shtetërorë të kthehen në kufij administrativë, bashkëveprimi ndërshtetëror mund dhe duhet të fillojë me bashkëveprimin ndërkufitar.
Projektet ndërkufitare, në te cilat Qarku i Shkodres është një nga përfituesit, po zhvillohen tashmë prej disa vitesh me sukses, me Italinë, në kuadrin e programeve Interreg, ndërsa institucionalizimi i projekteve të reja me Malin e Zi, të mbështetura financiarisht nga BE, është një mundësi tjetër për zhvillimin e rajoneve tona.
Ne kemi shembuj të fillimit të bashkëpunimit kufitar, si në shkallë kombëtare, ashtu dhe të qarkut e Shkodrës me Malin e Zi.. Kështu mund të përmendim projektet për Liqenin e Shkodrës, për hapjen e vijës së lundrimit Shkodër–Virpazar, për krijimin e pikës së përbashkët doganore në Muriqan dhe të asaj të Vermoshit, për sigurinë e vijës së kufirit, etj. Aplikimet e projekteve të përbashkëta për ruajtjen e mjedisit, që kërkojnë bashkëfinancim nga të dy vendet tona kanë treguar efikasitetin e tyre, kur ato janë ndërtuar e ndërthurur drejt me projektet shtetërore me ato të shoqatave, që veprojnë në dy anët e kufirit dhe janë mbështetur edhe nga komuniteti europian. Impakti i tyre në zhvillimin ekonomiko-kulturor ka qenë suksesshëm. Rritja e numrit të turistëve këtë vit, në krahasim me vitet e kaluara është vërtetim i drejtëpërdrejt i kësaj që thamë.
Zbatimi me sukses i programeve te reja, që do të paraqiten sot nga IPA, do t’i japi një impuls të ri bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve fqinjë, duke rritur më tej mundësinë përshpejtimit real të procedurave drejt integrimit europian. Në mënyrë të vecantë, zbatimi i programeve ndërkufitare Shqipëri- Mali Zi do të krijojë kushte që niveli i zhvillimit të turizmit në Qarkun tonë të pesojë rritje, e cila do të vijë jo vetëm si rezultat i investimeve që do të kryhen në këtë drejtim, por edhe i përfitimit të eksperiencave të reja në menaxhimin e turizmit, i cili jemi të ndërgjegjshëm se është ende larg standarteve që sigurohen në anën tjetër e kufirit. E afërt duhet të jetë dita kur promovimin e bukurive natyrore dhe turistike të rajonit tonë ta shohim krahas atij të Malit të Zi, në kanalin prestigjioz të Eurovizionit
Qëllimi i organizimit i ditës së Informimit dhe Ndergjegjesimit, përmbahet në vetë tematikën e zgjedhur. Sot, nëpërmjet kumtesave dhe referimeve, organet e pushtetit vendor, organizata të ndryshme publike, organizatat e shoqërisë civile aktive në Qarkun tonë do të informohen mbi, procesin e hartimit të këtij programi, prioritetet që mbulon ai, përmbajtjen e projekteve dhe mënyrën e financimit të tyre.
Jemi të sigurt se përpjekja për realizimin me sukses të ketyre programeve, të drejtuara dhe koordinuara mirë nga ju, do të jete një sfidë e re të cilën, ne si qark në rolin e përfituesit, do ta perballojmë me sukses të plotë.
Të nderuar pjesëmarrës më lejoni që në emrin e Këshillit të Qarkut të Shkodrës dhe tuajin të falenderoj organizatorët e këtij takimi në Shkodër, përfaqësuesën e Ministrisë së Integrimit Europian dhe përfaqësuesit e projektit Ndërtimi i Kapaciteteve Institutionale dhe t’i uroj takimit sukses të plotë.
Ju faleminderit për vëmendjen