Zgjedhja dhe Kompetencat e Kryetarit te Keshillt te Qarkut.

Zgjedhja:
Në mbledhjen e tij të parë të këshilli i qarkut i dalë nga zgjedhjet:
a) zgjedh komisionin e mandateve, i cili verifikon mandatet e anëtarëve të këshillit;
b) vërteton mandatet e anëtarëve të këshillit;
c) zgjedh kryetarin, zëvendëskryetarin dhe kryesinë e këshillit të qarkut.
Neni 60, i ligjit 8652, përcakton kompetencat e Kryetarit te këshillit të qarkut sikur me poshtë vijojnë:
1. Kryetari i këshillit të qarkut, përfaqëson këshillin e qarkut në marrëdhënie me organe shtetërore, me organet e njësive të qeverisjes vendore, me persona fizikë dhe juridikë vendas ose të huaj, si dhe ushtron këto kompetenca:

Kompetencat e Kryetarit te Keshillit te Qarkut
a) kryeson mbledhjet e këshillit të qarkut dhe të kryesisë së tij;
b) nënshkruan të gjitha aktet e këshillit dhe të kryesisë së këshillit, si dhe procesverbalet e mbledhjeve të këshillit dhe të kryesisë;
c) siguron zbatimin e vendimeve të këshillit të qarkut dhe të kryesisë së tij;
ç) në përputhje me tematikën e mbledhjeve të këshillit të qarkut dhe të kryesisë përgatit raportet, projektvendimet dhe materialet e tjera të nevojshme;
d) drejton administratën e këshillit të qarkut dhe përgjigjet para këshillit për funksionimin e saj;
dh) emëron dhe shkarkon personelin e administratës së këshillit të qarkut, përveç rasteve të parashikuara ndryshe në ligjin nr. 8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”;
e) garanton kryerjen e funksioneve që i janë dhënë me ligj këshillit të qarkut;
ë) merr masa dhe siguron funksionim normal të gjitha strukturave të këshillit, të mbledhjeve të këshillit dhe të kryesisë së tij;
f) ushtron kompetenca të tjera që i ngarkohen atij me ligj, nga këshilli i qarkut ose nga kryesia e tij.
2. Në ushtrimin e kompetencave të tij, kryetari i këshillit të qarkut nxjerr urdhra me karakter individual.
3. Në mungesë të kryetarit, funksionet e tij kryhen nga zëvendëskryetari.