Qershori po afron, bashkë me të dhe Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës. Këshilli i Qarkut Shkodër, nëpërmjet grupit të punës së ngritur për këtë qëllim po vazhdon me intensitet punën në bashkëpunim me grupet e të gjitha bashkive që përfshijnë zonën folklorike të Qarkut Shkodër.
Melosi i bjeshkëve të Pukës dhe Fushë-Arësit ka bërë që folklori ta ketë edhe aty audiencën popullore, pasi traditat e mira kanë trashëguar këngën epiko lirike, rapsodinë si dhe krijime orkestrale ku mbizotërojnë gjethi, fyelli e çiftelia apo ritet që janë shprehje e një folklori të vërtetë. Xhubleta e Malësisë është trashëgimi e qartë e prejardhjes ilire të kulturës sot mbrohet nga UNESKO.

Ajo përbën një nga elementët identifikues të veshjes popullore shqiptare. Xhubleta përmban një seri simbolesh ku spikasin ngjyrat e bukura, lidhjet e sajë me natyrën e magjishme të maleve tona si dhe thekson bukurinë e femrës malësore. Krahas xhubletës në epikën e malësisë qëndron dhe lahuta dhe vallet e kënduara.

Keto elemente do ti zbukurojnë edhe më tepër krijimet nga Malësia e Madhe. Zona e Vaut të Dejës do sjellë larminë e këngës, ninullës dhe valles së tyre tradicionale, që ka arritur të vijë nga kohët e largëta deri në ditët e sotme.
Ajo kaloj e sigurt gojë me gojë duke vërshuar si një gurrë e pashtershme në mbarë këtë zonë. Një tjetër vlerë do jetë folklori i zonës se Dukagjinit, ku përfshihen vlera të qenësishme të traditës së hershme dhe këngës së re apo lirike, epike dhe historike. Diçka e veçantë e kësaj zone është kënga pa shoqërim si dhe instrumentet e larmishëm. Meloditë e bukura qytetare shkodrane janë punuar me mjeshtri, janë lëmuar në rrjedhën e kohërave nga populli dhe një pjesë e tyre janë pastruar dhe pasuruar me elementë gjithnjë e më autoktone. Më të lashtat janë këngët e dasmës ose vallet e kënduara.
Ato përbëjnë një nga dukuritë më të bukura folklorike muzikore jo vetëm të qytetit, apo Qarkut të Shkodrës, por edhe te të gjithë trashëgimisë shpirtërore dhe artistike të popullit tonë. Në këtë forme është punuar kolana folklorike që po përgatitet të përfaqësojë qarkun e Shkodrës në Festivalin Folklorik Kombëtar Gjirokastër 24 Qershor deri me 1 Korrik 2023.