Kryetari i Këshillit të Qarkut Shkodër, zoti Edmond Ndou, priti sot zyrtarë kryesorë të rajonit në një takim, për të diskutuar përparësitë dhe planet e përbashkëta për të rritur bashkëpunimin institucional për kontrollin e territorit të qarkut dhe parandalimin e ndërtimeve pa leje që dëmtojnë mjedisin.
Biseda me Drejtorin Rajonal të IKMT, z. Emiljan Nika, vazhdoi edhe në angazhimin për të luftuar ekonominë e paligjshme të pyjeve në qarkun tonë dhe masat për të mbrojtur dhe mirëmbajtur dhe zhvilluar këtë pasuri natyrore dhe ekonomike.
Ndërkaq, diskutimet me Drejtorin Rajonal të Ujësjellësit, z. Besmir Lezha, u përqendruan në ecurinë e ndërtimit të Ujësjellësit të Muriqanit, një investim domethënës i Këshillit të Qarkut Shkodër, i cili së shpejti po shkon drejt përfundimit të tij.
Në kontekstin e rentabilitetit të ndërmarrjes rajonale të ujësjellësit, por edhe sezonit turistik, u vu theks në mirë funksionimin dhe efikasitetin e Task-Forcës, që të mos lejojë lidhjet e paligjshme në rrjetin e ujësjellësit si dhe ndërhyrjet e nevojshme duke siguruar që marrëdhëniet konsumatorët dhe debitorët të jenë në pajtueshmëri me ligjin.
Ky angazhim i Këshillit të Qarkut Shkodër shënon një hap të rëndësishëm drejt ruajtjes së mjedisit dhe përmirësimit të infrastrukturës së ujit, duke shërbyer si një ndërveprim thelbësor për komunitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonës.