Duhet thënë se nga muaji nëntor i vitit të kaluar, ka patur një bashkëpunim në mes Këshillit të Qarkut Shkodër dhe Ministrisë se Kulturës për organizimin e Ansamblit pjesëmarrës në nivel Qarku në Festivalin e Gjirokastrës 2023. Për këtë arsye Kryetari Këshillit të Qarkut Shkodër zoti Hilmi Lakti, ka ngritur grupin e punës me specialistët më të mirë e më përvojë të fushës.
Për disa muaj janë organizuar ekspeditat njohëse në të gjithë territorin e qarkut, ku së bashku me drejtuesit e kulturës dhe specialistët me eksperiencë pranë Bashkive janë përcaktuar burimet e trashëgimisë kulturore për të arritur tek përzgjedhja e grupeve dhe individëve.

Më pas është kaluar tek organizimi i koncertit me numrat më të mirë në nivel Qarku si dhe hartimi i draft-programit të konkurrimit në bashkëpunim me Komisionin Artistik të ngritur nga Ministri i Kulturës. Në këtë shfaqje organizuar me 28 Prill 2023 në “Teatrin Migjeni” Shkodër, grupi i punës kishte mbështetur të gjithë ato numra, rreth 120 artistë nga të gjitha zonat e qarkut, që kanë përcjellë në skenë të gjithë vlerat më të qenësishme folklorike të qarkut (muzikë, poezi, valle dhe veshje popullore) duke respektuar numrin e pjesëmarrësve dhe kohën prej 30 minutash që na ishte vënë në dispozicion.

Si përfundim nga 30 minuta që ishin parashikuar për çdo Qark, Qarkut Shkodër i janë akorduar nga Komisioni Artistik Shtetëror, 50 minuta për Ansamblin, nga të cilat 35 për grupet folklorike dhe 15 minuta program ekstra për Këngën Qytetare Shkodrane.

Vlerat artistike të këtij Ansambli po vijnë e lartësohen pasi secili prej grupeve, në mënyrë proporcionale po punon që të përfaqësohet me vlerat më karakteristike dhe origjinale të zonës tij. Me datë 28 Qershor Ansambli Folklorik i Qarkut Shkodër do të ngjitet në skenën e Kalasë së Gjirokastrës për të përçuar larminë karakteristike të veshjes popullore te të gjithë trevave të qarkut duke filluar nga ato qytetare, të Dukagjinit, Hajmelit e Zadrimës, Pukës e Fushë-Arrëzit e sidomos xhubletën e magjishme të Malësisë. Tingujt e fyellit e lahutës, sharkisë e çiftelisë, këngëve dhe valleve do të shoqërojnë të gjitha këto bukuri para spektatorit në Festival.