Zhvillohen në San Malo (Francë) punimet e Asamblesë së 50-të, të CPMR.

Mbledhja e Byrosë Drejtuese, për herë të parë vitin e ardhshëm në Shkodër, Shqipëri.
Me ftesë të Gunn Marit Helgesen, Këshilltare, Qarku i Vestfold dhe Telemark, Presidente e Përkohshme e CPMR si dhe nga nga Z. Loïg Chesnais-Girard, President i Rajonit të Britanisë, Kryetarja e Këshillit të Qarkut Shkodër znj. Marina Duhani, mori pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme dhe në 50-Vjetorin e CPMR, i cili u mbajt më 15-17 Nëntor 2023 në Saint-Malo (Francë), në qytetin ku u themelua në vitin 1973.

Gjatë kësaj periudhe, CPMR ka bërë thirrje për një vizion parapërgatitor për projektin Evropian, ku rajonet periferike detare luajnë një rol të rëndësishëm. Në prag të rinovimit të institucioneve të BE-së në 2024, theksohet nevoja e një Evrope të fortë për të përballuar sfidat e brendshme dhe të jashtme të sotme. Ngjarja shërbeu si platformë për të reflektuar mbi sukseset e CPMR-së dhe për të hartuar një vizion të ardhshëm, përfshirë edhe një Manifest politik të fuqishëm.

Znj. Duhani mori pjesë aktive në punimet e kësaj organizate të rëndësishme evropiane. Në një intervistë për mediat vendase, ajo theksoi: “Qarku i Shkodrës, si njësi administrative rajonale në Shqipëri, është anëtar aktiv i CPMR-së që nga viti 2014. Përmes anëtarësimit në CPMR, rajoni ynë ka marrë pjesë në bashkëpunime të ndryshme, veçanërisht në mbështetje të strategjisë së bashkëpunimit në Komisionin Ndër Mesdhetar dhe në strategjinë e zonës Adriatiko-Joniane.

Si pjesë e CPMR-së, Shkodra ka mundësinë të ndajë përvojat e saj, të marrë pjesë në rrjete të ndryshme të bashkëpunimit dhe të kontribuojë në dialogun politik në nivelin e BE-së për çështje të rëndësishme rajonale, duke përfshirë edhe integrimin në BE.”
Në këtë asamble u zgjodh z. Loïg Chesnais-Girard si Presidenti i ri i CPMR-së dhe u miratua deklarata finale (manifesti), që do t’i përcillet institucioneve vendimmarrëse Evropiane.

U vendos gjithashtu që mbledhja e ardhshme e Byrosë Drejtuese të mbahet në Qershor të vitit të ardhshëm në Shkodër, duke qenë se Këshilli i Qarkut Shkodër është një partner aktiv dhe kjo do jetë hera e parë që një takim i këtij niveli të zhvillohet në Shqipëri.