Akademia e Shkencave të Shqipërisë, në bashkëpunim me Universitetin e Arteve dhe Fakultetin e Muzikës, më 9 qershor 2017, në 100 vjetorin e lindjes së kompozitorit Prenkë Jakova, organizoi aktivitetin me teme “Tribunë Muzikologjie”, ekspozita dhe përshëndetje muzikore.

Akademia e Shkencave të Shqipërisë, në bashkëpunim me Universitetin e Arteve dhe Fakultetin e Muzikës, më 9 qershor 2017, në 100 vjetorin e lindjes së kompozitorit Prenkë Jakova, organizoi aktivitetin me teme “Tribunë Muzikologjie”, ekspozita dhe përshëndetje muzikore. Ne fillim u çel ekspozita me fotografi dhe partitura muzikore të Prenkë Jakovës, për të vazhduar me Tribunën Muzikologjie dhe për të përfunduar me Përshëndetje muzikore “a cappella” me krijimtarinë e Jakovës nga kori polifonik i Shoqatës Kulturore Artistike “Prenkë Jakova – Shkodër.  Isak Shehu, Fatmir Hysi, Eno Koço, Vasil Tole, Pandi Bello, Spiro Kalemi dhe Milkaela Minga janë pjesëmarrësit të cilët dhanë vlerësimet e tyre rreth jetës, veprimtarisë dhe ndikimit të Prenk Jakovës në kulturën muzikore shqiptare. Krahas Përshëndetjeve të autoriteteve të Ministrisë së Kulturës përshëndeti dhe zonja Greta Bardeli Kryetare e Këshillit të Qarkut Shkodër si një nga mbështetësit e këtyre aktiviteteve. Aktivitetet të tjera do pasojnë në Shkodër nga data 24 deri me datë 27 qershor, ku Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, Akademia e Arteve Tiranë Bashkia Shkodër, Këshilli i Qarkut Shkodër dhe shoqata kulturore “Prenkë Jakova” do venë në skenë për artdashësit shkodranë pjesë nga veprat e Kompozitorit.
 

 

 

 

Me poshtë fjalën përshëndetëse të zonjës Bardeli në këtë sesion muzikor shkencor.

Të nderuar Organizatorë, Akademikë e Relatorë,
Të nderuar miq, të ftuar e pjesëmarrës

Rreth 100-vite më parë Faik Konica shkruante:
Themelet e një kombi s’janë vetëm liria dhe gjuha nacionale…;  Themelet e thella të një kombi të vërtetë janë fuqitë e zhvilluara në shpirt të popullit. Muzika – dua të them, natyrisht muzika e vërtetë, muzika e madhe që hyn më thellë se cipa, është një nga veglat më të forta për të zhvilluar shpirtin e një populli”
100-vite më parë,  në  rrugën pranë Katedrales së Shkodrës, më 27 qershor të vitit 1917, lindi Prenkë Jakova, themeltari i operës shqiptare.
“Mrika” opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar, u shfaq më 1 dhjetor 1958, në Teatrin Migjeni të Shkodrës, interpretuar nga muzikantët amatore të këtij qyteti në drejtimin e vetë kompozitorit.
Shfaqja e parë pasoi 18 të tjera në vazhdim, që u dhanë në teatrin “Migjeni” të Shkodrës.
Më vonë, opera u shfaq në Teatrin e Operës dhe Baletit, duke u bërë pjesë e rëndësishme e fondit të artë të muzikës shqiptare.
Opera “Skënderbeu” ishte shprehje e dëshmisë së formimit të lartë profesional të kompozitorit, përvoja a tij, gërshetimi i pasionit me profesionin, u shfaqen konkretisht tek vepra madhore dedikuar heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, por në atë moment kur u shfaq në vitin 1968, ajo nuk përkonte me artin revolucionar që  i duhej indoktrinuar njeriut tonë të ri….
E ç’mund ti bësh me tepër një artisti sesa t’i denigrosh një vepër aq të arrirë, për të cilën ai ishte dedikuar me aq përkushtim për vite të tëra, për ta krijuar…
Prenkë Jakova ishte një kompozitor që shkroi gjithashtu me sukses romanca, kantata dhe këngë për fëmijë e të rritur.  Këngët e tij si “Syrin si qershia” dhe “Margjelo” etj,  janë mjaft të njohura dhe për shkak të popullaritetit që gëzojnë, shumë kush i identifikon si këngë popullore shkodrane.
Mjeshtri e  bëri shpejt kohën e Tij, me muzikën që la si trashëgimi edhe pse mundësitë e kohës që  punoj, ishin tepër modeste.
Nisur nga virtuoziteti dhe veprat, Prenkë Jakova konsiderohet si një nga kolosët më të mëdhenj, si kompozitori gjenial shqiptar për të gjitha kohërat, pasi edhe pse kanë kaluar shumë dekada nga koha kur   i shkroi veprat e tij, ato vazhdojnë të admirohen si pjesë e fondit më të mirë të muzikës sonë kombëtare.
Ky është një sadisfaksion i madh  për gjithë shqiptarët, pasi Jakova shkroi muzikë për të gjithë, duke u mbështetur  në tabanin tonë kombëtar, nga këngët tek Operat…  Sadisfaksion i madh është edhe për qytetarët shkodranë në mes të cilëve, Prenka u lind, jetoi dhe shkroi muzikën e tij.
Ndaj në këtë takim akademik, tribunë muzikologjie, në emrin tim personal dhe të Këshillit të Qarkut Shkodër,  kam nderin që  të përshëndes të gjithë pjesëmarrësit, që janë mbledhur për të nderuar,  Njeriun, Organizatorin dhe Kompozitorin që na nderoj të gjithëve,
Mjeshtrin e Madh Prenkë Jakova, monument  i Muzikës sonë kombëtare…
Faleminderit.
Greta Bardeli
Kryetare e Këshillit të Qarkut Shkodër
Tiranë më 09/06/2017