Për një rritje të protagonizmit në sektorin Bujqësor

Në kuadër të projektit AI-NURECC, me datë 4 dhe 5 Nëntor, në ambientet e Universitetit të Molise në Campobasso (Itali), CPMR dhe Eurorajoni Adriatik Jon organizuan një seminar për të kontribuar në sigurimin e vlerave reale për zbatimin e strategjisë EUSAIR.
Duke u ndalur në përqasjen e qeverisjes shumëplanëshe në nivel territori, ky takim promovoi një rol më të fortë të autoriteteve lokale dhe rajonale të zonës Adriatik-Jon, përmes një bashkëpunimi më të thellë midis vendeve anëtarë dhe jo anëtare të BE, pra vendeve të Ballkanit Perëndimor që marrin pjesë në programin makro-rajonal.

Delegacionet e autoriteteve rajonale dhe vendore nga Shqipëria (Shkodra-Tirana-Vlora) dhe Mali i Zi (Ulqini) u përfshinë në këtë tematike në diskutimin e qeverisjes shumë-nivele dhe qasjet makro-rajonale, si një mënyrë për të forcuar dhe rritur bashkëpunimin në të gjithë zonën Adriatik Jon.

Delegacioni i Këshillit të Qarkut Shkodër kryesuar nga Kryetari z. Hilmi Lakti dhe z. Andrea Jakova morën pjesë në këtë takim. Në fjalën e tij zoti Lakti ndër të tjera tha: “….bashkëpunimi territorial në Rajonin Adriatiko-Jonian, duhet të promovojë zhvillimin e qëndrueshëm në të gjithë sektorët, duke u fokusuar në rritjen ekonomike, dhe me një protagonizëm të fortë të sektorit bujqësor, me mbështetjen e institucioneve…..

Delegacioni gjithashtu ndoqi një vizitë studimore që kishte për qëllim ilustrimin e modeleve strategjike të zhvillimit rural, bazuar në iniciativat private-publike të mbështetur nga organet ndërmjetëse si Grupet e Veprimit Lokal, si dhe programimin, promovimin dhe menaxhimin e masave të zhvillimit të qëndrueshëm të bujqësisë organike.