Destinacionet Përrallore të Pukës – Eksperiencat Unike në Natyrë

296

Nëse jeni në kërkim të vendeve të veçanta të mbushura me adrenalinë dhe aventurë, Puka është gjithmonë një surprizë.

Rrethinat saj, gjithnjë e më shumë po marrin vëmendjen dhe po thërrasin turistë të shumtë. Vizitor vendas dhe të huaj e pëlqejnë qytetin verior jo vetëm për shkak të klimës së pastër, gjelbërimit, por edhe për atraksionet natyrore.

Me zhvillimin edhe të guidave, bukuritë natyrore të Pukës po marrin vëmendjen e duhur. IntoAlbania ka realizuar një bisedë me Vullnet Kuçin, i Discover Puka, i cili prej disa vitesh realizon ekspedita në qytetin e tij të lindjes. Vullneti shpjegon se përveç vizitës në qytet, Puka ka disa shtigje që realizohen për një ose dy orë të cilat janë të përshtatshme për çdo grup moshë. Një ndër to është edhe Shtegu për në Podin e Qershisë, vend i cili nga banorët merr kuptimin e një livadhi të madh me gjelbërim.

Podi i Qershisë, Pukë. Foto nga Enklajd Zeneli

Maja e Murgës

Maja e Murgës ndodhet pranë fshatit Buzhalë dhe është 12 km larg qytetit të Pukës. Ajo ndodhet 680 m mbi nivelin e detit dhe ka një lartësi 300 m mbi Liqenin e Komanit. Ngjitja e kësaj maje nuk është shumë e vështirë dhe me të mbërritur në destinacion, ju do të shijoni Liqenin e Komanit në një tjetër këndvështrim. Pamja mbresëlënëse e Liqenit të Komanit nga maja e Murgës do ju konfirmojë për të disatën herë që bukuritë Shqiptare i ka pikturuar natyra.

Mali i Murgës, Pukë, Foto nga Discover Puka

Mali i Murgës, Pukë, Foto nga Discover Puka

Ujëvara e Kryeziut

Ujëvara e Kryeziut, të paktën ashtu siç e quajnë banorët,  ndodhet në fshatin më po të njëjtin emër Kryezi , në Fushë – Arrës. Ky fshat është pjesë e 100 fshatrave turistike dhe ofron vende të mrekullueshme për të soditur. Me të mbërritur tek ujëvara mund të përfitoni nga rasti dhe të laheni në ujin e kristaltë. Kjo zonë përbëhet edhe nga disa guva natyrore me shkëmbinjë që vizitohen nga turistët e shumtë kryesisht gjatë stinës së verës.

Ujëvara e Kryeziut, foto nga Nentor Oseku

Ujëvara e Kryeziut, foto nga Nentor Oseku

Shpella e Kaurrit (Koman)

Një ndër destinacionet më të preferuara të guidave në Pukë është edhe Shpella e KaurritLiqenin e Komanit. Arsyeja pse e bën tërheqës këtë destinacion është historia e përcjellë ndër shekuj që lidhet ngushtë me kulturën dhe qytetërimin e Komanit, por gjithashtu dhe bukuritë natyrore të fshatit Qelez. Shpella ndodhet në fshatin Lëvrushk, në malin e Kollatës dhe ekzistenca e saj lidhet me legjendën se disa murgj e zgjodhën këtë vend për të jetuar të izoluar. Sot ajo është një monument natyre me pamje madhështore pranë brigjeve të Komanit.

Shpella e Kaurrit, foto nga Discover Puka

Shpella e Kaurrit, foto nga Discover Puka

Shpella e Orëve

Ndodhet pranë fshatit Shkozë dhe rruga për të përshkruar këtë destinacion është e kalueshme lehtësisht, por për ta eksploruar shpellën nevojiten pajisje dhe mjete mbrojtëse si kokore, elektrik dhe litarë. Për formën dhe strukturën e saj kjo shpellë është unike dhe tepër atraktive për t’u vizituar. Me një sfond panoramik dhe me ujëra termale, kjo shpellë është e veçantë për nga historia, por edhe nga hijëshija. Banorët e quajnë ndryshe edhe Kërpurdha e Artë.

Shpella e Orëve, foto nga Ilir Shyti

Mali i Munellës

Ndryshe mund të quhet edhe tapeti natyror i kësaj zone. Mali i Munellës është më i larti  në rrethin e Pukës me lartësi 1991 m mbi nivelin e detit. Kjo zonë njihet për bimësinë e egër, livadhet madhështore, pasuritë minerare dhe tashmë po njihet gjithmonë e më shumë si streha e kafshëve të egra, disa prej tyre janë dhe specie në mbrojte siç është rreqebulla e ballkanit. Për të vajtur deri në Munellë udhëtimi përshkohet me makina off road dhe për ata që duan të eksplorojnë më shumë këtë zonë shtegu për ngjitjen në një nga majat e Munellës siç është maja e Topit, është rrugë paksa sfiduese për shkak të terreneve shkëmbore dhe shtigjeve të thepisura. Ngjitja është një eksperiencë më vete pasi gjatë rrugës hasen shumë stane të vjetra ku banorët vinë gjatë sezonit të verës për kullotën verore. Pamja nga maja është mahnitëse, nga këtu mund të shikohen të gjitha majat e veriut si Maja e Korabit, Alpet Shqiptare dhe Maja e Gjallicës.

Mali i Munellës, foto nga Afrim Tahiraj

Mali i Munellës, foto nga Discover Puka

Fshati Iballë

Është një fshat i cili ka shumë histori, bukuri natyrore dhe njerëz mikpritës. Iballa ndodhet 53 km larg qytetit të Pukës. Për historinë e këtij fshati është shkruar nga studiues të shumtë si Frang Bardhi, Edith Durham dhe Franc Nopça, të cilët flasin për lashtësinë e tij. Mendohet që kjo zonë ka qenë e banuar gjatë shekullit të IV dhe III  para Krishtit, nga fisi i Pirusëve të cilët njiheshin si metal-punues të zotë dhe të pasur për kohën.

SHARE