VENDIM Nr. 48. Datë 23/12/2016

55

Për miratimin e rregullores për ushtrimin e veprimtarisë së Këshillit Vendor të Arsimit Parauniversitar në Qarkun Shkodër

Këshilli i Qarkut Shkodër, në  mbledhjen e Datës 23.12. 2016, pasi shqyrtoi materialin e përgatitur nga grupi i punes i administratës së  Këshillit të  Qarkut Shkodër “Për Strukturën Organizative të  Administratës së  Këshillit të  Qarkut Shkodër”, bazuar në: Ligjin Nr.139/2015, Datë 17.12.2015

Përvetëqeverisjen vendore,Mbështetur në ligjin  nr. 69, datë 21.06.2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”  si dhe në Udhëzimin nr. 37, datë 13.8.2013 “Për kriteret dhe procedurat për përzgjedhjen e anëtarëve të këshillit vendor të arsimit parauniversitar”, pas diskutimit nga anëtarët, miratohet me 13 vota pro.

 

 

VENDOSI

1.      Të miratojë rregulloren për ushtrimin e veprimtarisë së Këshillit Vendor të Arsimit Parauniversitarnë Qarkun Shkoder

2.      Ngarkohet administrata e Këshillit të Qarkut Shkodër për ndjekjen e procedurave të mëtejshme.

3.      Ky vendim hyn në fuqi 10 ditë pas shpalljes.

Miratuar në datën 23/12/2016

     Shpallur në datën 30/12/2016

 

 

         Sekretar i Këshillit                                                            K R Y E T A R I

 

           Gjon MARKU                                                                 Greta BARDELI

 

 

 

 

 

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

KËSHILLI I QARKUT SHKODËR

_______________________________________________________________________________

PROJEKT RREGULLORE

PËR USHTRIMIN E VEPRIMTARISË SË KËSHILLIT VENDOR TË ARSIMIT PARAUNIVERISITAR NE QARKUN SHKODER

 

Neni 1

Objekti i rregullores

1. Rregullorja “Për ushtrimin e veprimtarisë së Këshillit Vendor të Arsimit Parauniversitar në Qarkun Shkodër” (KVAPQSH) ka për objekt organizimin dhe funksionimin e këtij Këshilli.

2. Këshilli Vendor i Arsimit Parauniversitar në Qarkun Shkodër mund të përgatisë edhe rregullore për kordinimin e veprimtarive të përcaktuara në këtë rregullore, por brenda kompetencave dhe fushave të veprimtarisë së tij.

3. Emërtimi i shkurtuar i Këshillit Vendor të Arsimit Parauniversitar i përdorur në këtë rregullore është “Këshilli”.

 

Neni 2

Baza Ligjore

          Ligji nr. 69, datë 21.06.2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”

          Udhëzim Nr. 37, datë 13.8.2013 “Për kriteret dhe procedurat për përzgjedhjen e anëtarëve të këshillit vendor të arsimit parauniversitar”

 

Neni 3

Roli, përbërja dhe përzgjedhja e anëtarëve të Këshillit

1. Këshilli vendor i arsimit parauniversitar është organ këshillimor, në nivel qarku, për politikat e zhvillimit të arsimit parauniversitar, brenda juridiksionit territorial të qarkut.

2. Këshilli vendor i arsimit parauniversitar jep mendime:

a) për hartimin e strategjive dhe programeve arsimore vendore;

b) për aspekte të zhvillimeve arsimore në nivel qarku, bashkie e komune, që janë nën përgjegjësinë e tyre;

c) për bashkëpunimin me njësitë arsimore vendore përkatëse (Drejtoria Arsimore Rajonale/Zyra Arsimore) (DAR/ZA);

d) për çështje të tjera të politikave arsimore, me kërkesën e kryetarit dhe anëtarëve të KVA-së.

3. KVA krijohet me vendim të Kryetares/it të Këshillit të Qarkut dhe funksionon sipas rregullores së miratuar prej tij.

4. KVA kryesohet nga Kryetarja/i e/i Këshillit të Qarkut dhe ka në përbërje:

a) përfaqësues nga njësitë bazë të qeverisjes vendore përkatëse;

b) përfaqësues nga njësitë përkatëse arsimore vendore;

c) personalitete të njohura për kontribute në jetën publike të qarkut.

5. Numri i përgjithshëm i anëtarëve të KVA-së dhe i personaliteteve për kontribute në jetën publike vendoset nga këshilli i qarkut, duke qenë jo më shumë se 13 vetë.

 

Neni 4

Kriteret dhe procedurat

1. Pjesëmarrja në KVA organizohet sipas këtyre kritereve:

a) një përfaqësues nga çdo bashki;

b) një përfaqësues nga DAR dhe çdo ZA.

2. Procedurat e përzgjedhjes së anëtarëve të KVA-së janë si më poshtë:

a) nga bashkitë është anëtar kryetari i saj ose një punonjës i caktuar prej tij;

b) nga DAR-ja dhe ZA-të marrin pjesë titullarët e tyre.

 

Neni 5

Mandati i anëtarëve të Këshillit dhe zëvendësimi i tyre

1. Anëtarët e Këshillit, personalitete të njohura për kontribute në fushën e arsimit, zgjidhen me mandat 4-vjeçar. Pagesa e tyre përcaktohet me vendim të Këshillit të Qarkut.

2. Mandati i anëtarit të Këshillit mbaron përpara afatit:

a) për shkaqe natyrore;

b) për shkaqe ligjore, kur humbet zotësinë juridike për të vepruar me vendim gjykate, apo

dënohet për kryerjen e një vepre penale me vendim gjykate të formës së prerë;

c) kur jep dorëheqjen.

3. Mandati i anëtarit të zgjedhur të Këshillit ndërpritet kur nuk merr pjesë në të paktën tri mbledhje radhazi të KKAP-së, të organizuara gjatë një viti.

4. Anëtari i Këshillit, të cilit i është ndërprerë mandati apo i ka mbaruar përpara afatit, zëvendësohet me kandidatin që ka rezultuar me më shumë pikë në procedurën e konkurrimit.

5. Kohëzgjatja e mandatit të anëtarit zëvendësues është sa pjesa e mbetur e anëtarit të larguar.

 

Neni 6

Sekretariati i Këshillit

1. Këshilli mbështetet nga sekretariati i tij, i cili koordinon veprimtarinë e Këshillit me organizmat e tjera brenda dhe jashtë Këshillit të Qarkut.

2. Sekretariati i Këshillit përbëhet nga Zëvendëskryetari i Këshillit të Qarkut dhe dy punojës të Këshillit të Qarkut.

3. Sekretariati i Këshillit:

a) i paraqet me shkrim Kryetares/it propozimet e parashtruara në mbledhjet e Këshillit;

b) përpunon propozimet në mbledhjen e Këshillit në formën për ekzekutim dhe ia paraqet Kryetares/it;

c) mban procesverbalet e mbledhjeve të Këshillit, përgatit materialet që do t’u shpërndahen

anëtarëve të Këshillit, mban korrespondencën dhe kryen shërbime të tjera të kësaj natyre.

4. Në fund të çdo viti kalendarik, sekretariati depoziton në arkivin e Këshillit të Qarkut një dosje me mbishkrimin “Këshilli Vendor i Arsimit Parauniversitar”, që përmban urdhrat përkatës të Kryetares/it, procesverbalet e mbledhjeve, punimet e grupeve të punës dhe materiale të tjera të paraqitura në mbledhjet e Këshillit.

5. Përbërja nominative e sekretariatit të Këshillit dhe detyra të tjera të tij caktohen me urdhër të

Kryetares/it së Këshillit të Qarkut.

 

Neni 7

Organizimi i mbledhjeve të Këshillit

1. Këshilli mblidhet mbi bazën e një kalendari në datën e caktuar nga Kryetarja/i.

2. Një mbledhje e Këshillit zhvillohet kur janë të pranishëm të paktën gjysma e anëtarëve të tij.

3. Mbledhja e Këshillit dhe rendi i ditës u njoftohen anëtarëve të Këshillit prej sekretariatit të paktën dhjetë ditë para datës së mbledhjes.

Njoftimi për mbledhje duhet të përmbajë datën, orën, vendin e zhvillimit të mbledhjes, rendin e

ditës dhe materialet mbështetëse, të cilat u dërgohen anëtarëve të Këshillit në formë të shkruar apo elektronike.

4. Mbledhjet e jashtëzakonshme thirren me kërkesën e Kryetares/it së Këshillit të Qarkut ose me kërkesën me shkrim të së paktës 1/3 e anëtarëve të Këshillit.

5. Nëse mbledhja e jashtëzakonshme thirret, duke mos respektuar përcaktimet e pikës 3 të këtij neni, por anëtarët janë të pranishëm dhe bien dakord ta pranojnë thirrjen e mbledhjes të vlefshme, atëherë ajo mund të vazhdojë rregullisht.

 

Neni 8

Rendi i ditës i mbledhjeve të Këshillit

1. Rendi i ditës i një mbledhjeje të Këshillit përcaktohet nga Kryetarja/i me nismën e saj/tij.

2. Në rendin e ditës së një mbledhjeje të Këshillit përfshihet një çështje që propozohet nga të paktën 1/3 e anëtarëve të Këshillit.

3. Në fillim të një mbledhjeje të Këshillit, mund të shtohet një çështje në rendin e ditës:

a) me kërkesë të Kryetares/it;

b) me propozim të një ose disa anëtarëve të Këshillit, kur miratohet nga shumica e anëtarëve të

Këshillit të pranishëm në mbledhje.Kur trajtimi i një çështjeje shtesë kërkon parapërgatitje, mbledhja shtyhet me 24 orë.

 

Neni 9

Procesverbali i mbledhjes

1. Në çdo mbledhje të Këshillit mbahet procesverbali që pasqyron të gjitha diskutimet gjatë

mbledhjes.

2. Anëtari i Këshillit ka të drejtë që të kërkojë që procesverbalit t’i bashkëngjitet një deklarim me

shkrim për mendimet që ka dhënë gjatë mbledhjes dhe t’i plotësohet kjo kërkesë.

3. Anëtari i Këshillit ka të drejtë të kërkojë që të lexojë procesverbalin e mbledhjes ose të mbledhjeve paraardhëse dhe t’i plotësohet kjo kërkesë.

4. Procesverbali nënshkruhet nga çdo anëtar pjesëmarrës në mbledhjen përkatëse të Këshillit.

 

Neni 10

Grupet e punës

1. Për trajtimin e çështjeve të veçanta ngrihen grupe pune, ku marrin pjesë deri në tre ekspertë të

jashtëm dhe një ose dy anëtarë të Këshillit.

2. Grupet e punës ngrihen me urdhër të Kryetares/it dhe janë të përkohshme.

3. Një grup pune ngrihet me kërkesën e Kryetares/it ose të shumicës së anëtarëve të Këshillit.

4. Grupi i punës paraqet para Këshillit punimin e shkruar, të përgatitur prej tij.

5. Punimi, i përgatitur nga grupi i punës, ruhet në arkivin e Këshillit.

 

Neni 11

Informimi publik

Në faqen elektronike zyrtare të Këshillit të Qarkut Shkodër hapet një rubrikë e posaçme për veprimtarinë e Këshillit.

 

 

 

KRYETARE

         Greta BARDELI