DEKLATATË PËR SHTYP E KRYETARES SË KËSHILLIT TË QARKUT SHKODËR ZNJ. GRETA BARDELI

47

Sot po kundërshtojmë supremacinë e vullnetit politik ndaj ligjit themelor. – KUSHTETUTA është akti më i lartë juridik i shtetit tonë, të cilës duhet t’i nënshtrohen qytetarët dhe pushtetarët. Pushteti lind dhe ushtrohet në bazë e për zbatim të ligjit.

Shteti i së drejtës, supremacia e ligjit, kufizimi i pushteteve matet nëpërmjet institucioneve demokratike të qëndrueshme, kompetencave dhe funksionimit të tyre.

Si po garantohet stabiliteti i institucioneve të qeverisjes vendore të nivelit të dytë??? Ka muaj që po kërkojmë gjurmë të sundimit të së drejtës, të ekzistencës së parimit të ligjshmërisë apo sundimit të shteti të së drejtës. Por praktika po flet ndryshe. Këtë vit, në raport me qarqet, ka pasur haptazi:

* Shkelje të Kushtetutës;

* Shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore;

* Cënim, anti-kushtetues, të autonomisë vendore, rajonale.

Në vazhdim të sa më sipër, ndër vendimet e miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 11 Nëntor 2015, është dhe Vendimi për “Transferimin në pronësi, nga këshillat e qarqeve te bashkitë, të rrjetit të rrugëve rurale dhe të aseteve të luajtshme e të paluajtshme të ndërmarrjeve të mirëmbajtjes së këtyre rrugëve”.

Ne, jemi për garantimin e Autonomisë Vendore, po ku është garantuar ajo, a është siguruar dhe Autonomia Rajonale me këtë vendim? Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, QARKU ndërton dhe zbaton politikat rajonale.

Qarqet jo vetëm që nuk po pajisen me resurset e nevojshme për zbatimin e politikave rajonale, Detyrë që u ngarkon Kushtetuta, por me këtë Vendim po U Hiqen dhe ato pak resurse që kishin.

Në pikën 1 të nenit 100 të Kushtetutës përcaktohet se: “Këshilli i Ministrave përcakton drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore”

Por, sipas vendimit në fjalë, drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme të Këshillit të Ministrave, të Qeverisë, de facto, janë:

* Shkeje të vazhdueshme të autonomisë rajonale dhe parimeve të decentralizimit në ushtrimin e pushtetit;

* Marrja apo heqja e pronësisë;

* Shkrirja e ndërmarrjeve;

* Largimi i punonjësve nga puna (61 këtë vit, 49 vitin që kaluam);

* Krijimi i ndërmarrjeve që shkrin pas disa javësh, duke punësuar ‘militantët’, pasi të jenë nxjerrë në rrugë punonjësit aktual.

Me këtë Vendim nuk po shkohet drejt decentralizimit për efiçencë dhe kursime të mundshme. Nga 12 ndërmarrje ekzistuese po krijohen 61 të tjera.

Kjo formë e re organizimi e copëzuar nuk sjell as përfitime e as kursime, biles do të duhet shumë impenjim dhe shumë para për ti riorganizuar drejtimin e tyre dhe përsosur teknologjinë që ato kanë nevojë, pasi në kuadër të këtij transferimi ato do mbeten plotësisht të cunguara dhe pa asnjë efiçencë.

Për dëmshpërblimin e të larguarve nga puna duhet të jetë vetë këshilli i ministrave, nëpërmjet dikasterit të linjës që të marrë përsipër trajtimin e afro 1000 të larguarve për ti sistemuar ato në një vend tjetër nëse ka, e jo t’ia kalojë detyrimin për dëmshpërblim, këshillave të qarqeve, të cilat vazhdojnë e tkurren nga mungesa e fondeve.

Supremacia e ligjit po zhduket, ndarja e pushtetit nuk ekziston, të drejtat dhe liritë themelore nuk po garantohen (po i hiqet e drejta e punësimit qindra punonjësve në 12 qarqe), autonomia rajonale jo vetëm që nuk po garantohet por dhe po cënohet. Absolutizmi politik po çimentoset gjithnjë e më shumë.

Ne do bëjmë detyrën si qytetar, po reagojmë, po flasim, po mbështesim e veprojmë në bazë e për zbatim të ligjit!