Maxhid CUNGU – Prezantimi i raportit te monitorimit te Strategjise Rajonale per Femijet …

63

 

 

 

Fjala e kryetarit te Keshillit te Qarkut z. Maxhid Cungu ne prezantimin e raportit te monitorimit te Strategjise Rajonale per Femijet dhe Planit te Veprimit per Femijet
Shkoder me 12. 12. 2013

Te nderuar kolegë dhe bashkepunëtorë në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve,
Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve është një prioritet në veprimtarinë e Këshillit të Qarkut Shkodër në zbatim të politikave kombëtare. Ne vitin 2011, me mbështetjen e UNICEF, u hartua Strategjia Rajonale dhe Plani i Veprimit për Fëmijë 2011-2013, si një dokument i rëndësishëm që shërben si udhëzues në punën tonë në mbështetje të të drejtave të fëmijëve, si dhe Analiza e Buxhetimit të të drejtave të fëmijëve si një risi në të gjithë republikën. Në zbatim të saj dhe të kuadrit ligjor në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve janë ndërmarrë një sërë hapash konkretë kryesisht per institucionalizimin e të drejtave të fëmijeve dhe rritjen e ndërgjegjësimit për këtë qëllim.
 Pranë Këshillit të Qarkut Shkodër është ngritur dhe funksionon Njësia për të Drejtat e Fëmijëve, si një hallkë kyçe e mekanizmit të bashkërendimit të punës për refërimin e rasteve të fëmijëve në rrezik dhe për funksionimin e  Komitetit Drejtues si  strukturë gjithëpërfshirëse pergjegjëse jo vetem për menaxhimin e rasteve te fëmijëve në rrezik por edhe për analizën e problematikave që lidhen me të drejtat e fëmijëve në territorin e qarkut dhe propozimin e zgjidhjeve qe janë më afër interesave të fëmijës.
Bashkëpunimi i ngushtë me organizatat joqeveritare në fushën e mbrojtjes së fëmijëve është një tjetër prioritet i punës së Qarkut. Për këtë qëllim NJDF në bashkëpunim me Observatorin  për të drejtat e fëmijëve me mbështetjen e UNICEF është ndërmarrë realizimi i projektit pilot “One Stop Shop” , që ka për qëllim përmirësimin e koordinimit dhe harmonizimit të të gjithë strukturave të mirëqenies sociale dhe te garantojë përmbushjen e të drejtave të fëmijëve në rajon. Tashmë NJDF numëron disa raste konkrete te femijëve në rrezik për të cilat ka ndërhyrë për t`i ardhur ne ndihmë.
Megjithë masat e ndermarra nga Këshilli i Qarkut Shkodër, mbrojtja e të drejtave të fëmijëve mbetet një sfidë. Hartimi i Raportit të Monitorimit të Strategjisë Rajonale për Fëmijët të Qarkut Shkodër dhe Planin të Veprimit për Fëmijët” nga Qendra “Fëmijët Sot” në bashkëpunim me Këshillin e Qarkut Shkodër, në kuadër kuadër të programit ndërkufitar IPA Shqipëri-Mal i Zi, financuar nga Bashkimi Europian, është një mbështetje e rëndësishme për përmirësimin e punës tonë në zbatim të SRPVF.
Gjetjet kryesore të evidentuara në këtë raport  do të na ndihmojnë të kuptojmë më mirë progresin e arritur nga të gjitha institucionet e përfshira në zbatimin e Strategjisë dhe njëkohësisht të evidentojë pengesat, vështirësitë dhe problematikat e hasura gjatë zbatimit të të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga ky dokument.
Raporti ofron dhe rekomandime konkrete për përmirësimin e masave që duhet të ndërmeren nga të gjithë institucionet publike dhe jo publike në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve. Gjithashti, Raporti përmban edhe modele te monitorimit të Strategjise si një përgjegjësi konkrete e NJDF, në Këshillin e Qarkut.
Në mbyllje gjej rastin të vlerësoj dhe të falenderoj të gjithë bashëpunëtorët që morën pjesë në realizimin e këtij Raporti, Qendra “Fëmijët Sot”, Sektorin e Shërbimeve sociale në Këshillin e Qarkut dhe ekspertë të tjerë të përfshirë në këtë proçes.
                               
Maxhid CUNGU
Kryetar i Këshillit të Qarkut Shkodër