Gjovalin KOLOMBI – Programi i zhvillimit ekonomik dhe nxitjes së punësimit

39

 

 

 

Gjovalin Kolombi

Fjala ne takimin me GTZ-Shqiperi
Programi i zhvillimit ekonomik dhe nxitjes së punësimit, mundësi të zhvillimit ekonomik rajonal në veriun e Shqipërisë
Shkodër, më 27.02.08

Të nderuar zonja dhe zotërinjë, përfaqësues të GTZ
Të nderuar përfaqësues të institucioneve qeveritare
Të nderuar  përfaqësues të qeverisjes lokale
Të nderuar pjesëmarrës

Më lejoni t’ju uroj mirëseardhjen në institucionin e Këshillit të Qarkut Shkodër. Fillimisht dua të falënderoj GTZ-në për kontributin e shquar në zhvillimin e qarkut të Shkodrës gjatë gjithë viteve të pranisë së saj në Shqipëri. Është e pamundur të përmend në pak rreshta këtë kontribut. Unë do të ndalem vetëm në dy më të fundit, ku unë si kryetar i Këshillit të Qarkut kam qenë vetë aktor.E para është ndihma financiare për hartimin e projektit të tabelave turistike, i cili nuk arriti të implementohej vitin e kaluar, por që fatmirësisht me mbështetjen e MKTRS do të zbatohet së shpejti. Një sinjalistikë turistike bashkëkohore do t’i shërbejë fillimit të mbarë të sezonit të turizmit veror.     I dyti qe udhëtimi i organizuar nga GTZ për t’u njohur me dy mënyra të ndryshme të qeverisjes vendore, në Rumani e ngjashme me ne dhe në Maqedoni e ngjashme me ato të fqinjëve tonë, Mali i Zi dhe Kosova. Nga e para morëm shembull se si duhet të ndërtojmë punën si qark dhe si duhet të bashkëpunojmë me qarqet fqinjë Lezhën dhe Kukësin, për zhvillimin rajonal. Nga e dyta mësuam se si të realizojmë bashkëpunimin crossborder, duke përcaktuar drejt homologët tanë jashtë kufirit edhe kur ato nuk ekzistojnë institucionalisht.Le të kthehemi në trajtimin e temës së këtij takimi.Duke mos dashur të bëj ekspertin në çështjen e punësimit më lejoni të them pak fjalë, të cilat mendoj se mund të zënë vend.    Puna dhe vetëm puna mund të realizoj mirëqenien materiale dhe shpirtërore. Puna dhe mirëqenia janë në lidhje të kundërt njëra me tjetrën, puna rrit mirëqenien, ndërsa kjo e fundit ndikon në rritjen e dëshirës për një punë gjithnjë e më të kualifikuar. Gjëndja e punësimit dhe për rrjedhojë edhe jetesa në qarkun e Shkodrës është në nivele të ulëta, sidomos e theksuar është kjo në vendet malore, ose zonat rurale, për të cilën do të ndalem në fjalën time. Varfëria dhe pasuria natyrore e tyre janë një kundërshti që nuk mund të pranohet. Kjo kundërshti është shfaqur e fortë për arsye se gati për një gjysmë shekulli ka munguar lëvizja dhe iniciativa private e lirë. Shteti totalitar ka ndërmarrë disa hapa për të krijuar njëfarë infrastrukture, por varferija e tejskajshme sidomos në fund të viteve 90, ka nxitur migrimin masiv drejt qyteteve sapo u shfaq mundësia e lëvizjes së lirë. Ndërkaq në vendet fqinjë, me kushte natyrore të ngjashme me ne, migrimi ka qenë në kufij të logjikshëm. Mali i Zi mund të krenohet për turizmin e tij.    Unë mendoj se gjendja mund të përmirësohet. Biznesi më i mirë, dhe që mund të krijojë vende të reja pune atraktive është turizmi me të gjitha llojet dhe industrinë e tij. Zhvillimi turizmit nuk mund të bëhet shpejt pa një mbështetje nga jashtë qarkut, nga shteti ynë dhe nga agjecitë e donatorët e huaj. Por kjo mbështetje duhet të jetë e koordinuar dhe këtë koordinim e bën vetëm Këshilli i Qarkut. Në praktikë nuk është vepruar kështu. Projektet dhe mbështetjet për bashkitë e komunat, megjithese jo të pakta në pjesën më të madhe të tyre nuk kanë nisur nga Qarku, për rrjedhojë në shumë raste ndërhyrjet kanë rezultuar mbivendosje hapsinore dhe sektoriale të njëra tjetrës. Qeveria e jonë, nëpërmjet granteve konkuruese është lidhur drejtpërdrejt me bashkitë dhe komunat, sikur Këshilli i qarkut të mos ekzistonte. Ministritë kanë përqëndruar në duart e tyre shërbime të cilat duhet të jenë një kompetencë natyrale dhe logjike e Këshillave të Qarqeve. Kjo ka ngjarë edhe me agjencitë e donatorët e huaj. Kohët e fundit kemi një reflektim pozitiv të qeverisë, të paktën në bazën ligjore. VKM për SNZHR-në, që do të pasohet me një ligj, i jep frymëmarrjen kushtetuese veprimtarisë së Këshillit të Qarkut. Mirëpo jo të gjithë e kanë lexuar dhe kuptuar drejtë këtë orientim të ri të zhvillimit. Ende vazhdon praktika e vjetër. Mendoj se është detyrë dhe e drejtë e METE për të bërë marketingun e SNZHR-së në secilën ministri dhe në të gjitha agjencitë e donatorët.
    Ne, nga ana e jonë, kemi filluar të bëjmë njëfarë marketingu me agjencitë dhe donatorët me të cilët jemi takuar. Një projekt i kohëve të fundit të dy OJF-ve VIS dhe COL’OR në shërbim të Kelmendit dhe Shkrelit, për t’u financuar nga Cooperazione Italiana, ka marrë udhën e vet nga institucioni i Këshillit të Qarkut. Një ogur i mirë.
    Tani jemi duke menduar për strukturat që rekomandohen në SNZHR: Këshillin e partneritetit dhe Agjencinë e zhvillimit. Pastaj në shembullin e Rumanisë do të propozojmë krijimin e strukturave rajonale të bashkëpunimt ndërmjet qarqeve, Lezhë, Shkodër, Kukës: këshillat e partneritetit rajonal dhe komisionet e zhvillimit rajonal. Mirëpo, megjithë dëshirën tonë të mirë, nuk mund të arrijmë objektivat e SNZHR-së pa një mbështetje financiare dhe konsulencë teknike. Takimi i sotëm, në të cilën GTZ shpalos mbështetjen e saj për krijimin e këtyre strukturave, përbën një ngjarje të rëndësishme dhe tepër inkurajuese.
    Duke shpallur jo formalisht, por me një justifikim shkencor të saktë dhe me bindje të plotë, qarkun e Shkodrës si qark turistik, Dukagjinin si një zonë prioritare turistike dhe Thethin si fshat turistik pilot, mbështetur në Planin Eptiza, mendoj se kemi vënë në shina të shëndosha përpjekjet për përmirësimin e të ardhmes së banorëve të tij drejt integrimit në Evropë. Mund komunikoj me kënaqësi se në këtë vizion do të kemi mbështetjen e Qeverisë, deputetit të zonës dhe MKTRS, me të cilën së shpejti do të nënshkruajmë një marrëveshje bashkëpunimi. Fondi shqiptar i zhvillimit do të ndërmarrë ndërtimin e një pjese të rrugës së Dukagjinit, deri tani rruga e varfërisë dhe e vdekjes. Jam i bindur se në këtë vizion do të kemi edhe mbështetjen e GTZ dhe të agjencive të tjera, puna e të cilave do të koordinohet nga strukturat përkatëse të Këshillit të Qarkut.
    Ju faleminderit për vëmendjen.