Gjovalin KOLOMBI – Fjala ne takimin për Parkun Ballkanik të Paqës

134

 

 

 

Shkodër, më 13-14 mars 2008

I nderuar  Z. Ministër
Të nderuar Zv/Ministër
Të nderuar përfaqësues të ministrive të Malit të Zi, Kosovës dhe të Shqipërisë
I nderuar Kryetar i Qarkut të Kukësit
Të nderuar përfaqësues të qeverisjes lokale të Malit të Zi, Kosovës dhe të Shqipërisë
Të nderuar përfaqësues të organizatave ndërkombëtare
Të nderuar përfaqësues të OJF-ve të Malit të Zi, Kosovës dhe të Shqipërisë
Të nderuar Zonja dhe Zotërinjë

Fillimisht më lejoni që në emër të Këshillit të Qarkut të Shkodrës t’ju uroj mirëseardhjen në qarkun tonë dhe njëherazi t’ju falënderoj për gatishmërinë tuaj për të marrë pjesë në këtë seminar. Një falënderim të veçantë më lejoni t’u drejtoj financuesve të këtij seminari, Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP), Agjencisë Austriake të Zhvillimit (ADA), Agjencisë Kanadeze të Zhvillimit Ndërkombëtar si dhe Organizatës Hollandeze të Zhvillimit (SNV) për lehtësimin e organizimit të tij.
Tashmë ka ardhur koha që Bjeshkët e Namuna –Prokletie, të cilat qëndrojnë krenare në qëndër të këtij Parku, të shpallen bjeshkë të paqës, mirëkuptimit, bashkëpunimit ekonomiko- kulturor dhe të zhvillimit ndërkufitar, ashtu siç e kërkon sot Evropa e Bashkuar. Bukuritë e mahnitshme natyrore, shpirtmadhësia e banorëve të kësaj treve, unike në llojin e vet, mbështetja e aktorëve të kësaj tryeze dhe e donatorëve janë garanci e suksesit të këtij projekti ambicioz.
Çfarë presim nga seminari i sotëm?
Sëpari shkëmbimin e përvojës së deritanishme. Secili nga aktorët e kësaj tryeze do të shpalosë përvojën e punës jo vetëm lidhur me Parkun e Paqës, por edhe me zhvillimin sektorial dhe rajonal të zonave rreth tij. Rezultatet e krahasuara dhe të koordinuara, janë një bazë e mirë për ndërtimin e një projekti të pranueshëm për t’u financuar nga donatorët.
Së dyti, nën slloganin “Bjeshkët e Namuna-Prokletie, bjeshkë të paqës dhe të miqësisë ndërmjet popujve”, pas diskutimeve konstruktive në grupet teknike, mendoj se duhet të arrijmë të hartojmë një bocë-projekti si dhe të përcaktojmë grupin e punës, i cili mbështetur në këtë dokument, do të hartojë projektin që do të jetë gati për t’iu paraqitur donatorëve nga mesi i vitit 2008.
Së treti, mendoj, që në përfundim të seminarit, përfituesit e drejtpërdrejtë të projektit, qarku i Shkodrës, Qarku i Kukësit, komunat e Plaves dhe Rozhajes të Malit të Zi dhe Komunat e Pejes dhe te Deçanit të Kosovës të nënshkruajnë një Deklaratë të përbashkët të mirëkuptimit dhe të vullnetit të plotë ku do të shprehet gatishmëria e tyre për të mbështetur punën për hartimin dhe realizimin e këtij projekti. Kjo do të jetë një mbështetje institucionale dhe morale, që do të garantojë suksesin e projektit.
Tani më lejoni të them pak fjalë lidhur me zhvillimet e kohëve të fundit në qarkun e Shkodrës, qark që përfshin tre rrethe: Shkodrën, Malësinë e Madhe dhe Pukën.
Koncepti i Parkut Ballkanik të Paqës, dhe ideja për ndërtimin e një projekti të zhvillimit të zonës së Bjeshkëve të Namura- Prokletije, përkon me Strategjinë e Ndërsektoriale të Zhvillimit Rajonal (SNZHR) të miratuar kohët e fundit nga Këshilli i Ministrave. Ky vendim dhe ligji përkatës, që do të miratohet sëshpejti, do t’i japin jetë kompetencës kushtetuese të qarkut si institucioni ku në bashkëpunim me qeverinë hartohen dhe zbatohen planet e zhvillimit të tij. Detyra themelore që i vihet qarqeve, sipas këtyre dokumentave, është hartimi i strategjive të tyre të zhvillimit. Qarku i Shkodrës ka tashmë një Plan hapësinor zhvillimi mjaft kualitativ, Planin Eptiza të miratuar nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Qarkut në vitin 2006, i cili do të jetë bazë e fuqishme për hartimin e strategjisë. Fatmirësisht ky plan zhvillimi përfshin dhe zonat më pak të zhvilluara në veri të qarkut tonë, pra edhe Bjeshkët e Namuna.
Hartimi i Strategjisëë së Zhvillimit të Qarkut (SZHQ) kërkon ndërtimin e strukturave adekuate siç janë Këshilli i Partneritetit të Qarkut (KPQ) dhe Agjencia e Zhvillimit të Qarkut (AZHQ). Kjo strategji do të miratohet në Këshillin e Qarkut, i përbërë nga 65 kryebashkiakë, kryekomunarë dhe këshilltarë të 33 njësive vendore që përbëjnë qarkun. Ajo do të pasojë me nënshkrimin e Marrëveshjeve me qeverinë dhe me bashkitë e komunat. Hartimi i Strategjisë së Zhvillimit të Qarkut (SZHQ) do të jetë produkt i bashkëpunimit politik dhe teknik të kapaciteteve më të mira të qarkut. Personat që do të punojnë në këto struktura duhet të jenë të aftë të përballojnë sfidat përkatëse. Ne kemi kërkuar dhe kemi marrë premtimin e agjensive dhe donatorëve të huaj për të na mbështetur financiarisht dhe teknikisht. Strategjia e Zhvillimit të Qarkut nuk mund të kuptohet pa një bashkëpunim efikas rajonal. Struktura të përbashkëta me qarkun e Kukësit dhe të Lezhës do të kërkojmë të ndërtohen. Megjithëatë ne nuk kemi ndenjur në gjendje pritjeje. Me kapacitetet ekzistuese, mbështetur në Planin Eptiza, kemi filluar të punojmë për hartimin e strategjive hapsinore pjesore, të qarkut. Pavarësisht se qarku i Shkodrës në tërësi nuk e ka statusin e një qarku turistik, ne në hartimin e ideve tona e konsiderojmë të tillë. Në tërësinë e zonave me mundësi të mëdha të zhvillimit të turizmit, ne kemi veçuar zonën e alpeve të Shqipërisë. Strategjia e Zhvillimit të Dukagjinit (SZHD), një zonën e propozuar si Park Ballkanik i Paqës, është në vëmendjen tonë. Projekti i rrugës rurale që lidh Shkodrën me Thethin turistik ka marrë rrugën e hartimit.  Financimi i zbatimit të tij do të kërkohet gjatë vitit 2009. Kjo rrugë është pjesë e rrugës ndërkufitare turistike Plavë-Vermosh-Koplik –Theth-Breg Lumi –Shkodër. Vetë fshati Theth është zgjedhur si fshat turistik pilot. Një studim urbanistik i tij do të realizohet me fondet e qarkut që këtë vit. Disa veprimtari me komunitetin, drejtuesit dhe donatorët janë realizuar. Një konferencë shkencore me titull “Dukagjini në fokus” do të zhvillohet nga fundi i majit të këtij viti. Në vija të përgjithshme vizioni ynë për zhvillimin e qarkut është mjaft i qartë. Jemi në pritje të një mbështetje më të madhe nga qeveria dhe donatorët.
Nga ana e tij Këshilli i Qarkut të Shkodrës do të vërë në dispozocion të gjithë infrastrukturën e tij për realizimin me sukses të këtij projekti
Faleminderit për vëmendjen.