Gjovalin KOLOMBI – Fjala në takimin e tretë me donatoret më 28.07.08

41

 

 

 

Të nderuar zonja dhe zoterinjë,

Mirësevini në takimin e tretë kooordinues të Organizatave Donatore dhe Agjensive te Zhvillimit që kanë mbështetur dhe mbështesin Qarkun e Shkodrës.
Më lejoni të ndalem vetëm në tri çështje:
a. Përvoja e thithur nga drejtues të pushtetit vendor kohët e fundit
b. Puna e Këshillit të Qarkut në forcimin e kapaciteteve dhe për sensibilisimin e opinionit mbi domosdoshmërinë e zhvillimit të zonave të varfëra rurale,nëpërmjet projekteve pilotë
c. Nevoja për mbështetje nga donatorët.

a. Kohët e fundit grupe drejtuesish të pushtetit vendor kryen vizita studimore në Kroaci me mbështetjen e SNV, në Poloni me mbeshtetjen e SDC dhe Interkooperacioni zvicerran dhe në Gjermani me mbështetjen e GTZ. Më lejoni të falënderojë përzëmërsisht donatorët dhe organizatorët për organizimin deri në detajet më të vogla të tyre dhe për mundësinë që na u dha të mësojmë shumë gjëra rreth kulturës, traditës, mjedisit të vendeve që pamë. Ndërmjet përvojave të shumta që morëm, për mendimin tonë, dy qenë më të rëndësishme:
së pari se zhvillimi bëhet me koordinim të punëve dhe se këtë koordinim e realizon qarku (rajoni), i cili është institucioni, ku duke ndjekur një masterplan të madh, duhet të marrin nismën projektet e cdo komune dhe bashkie.
së dyti se thithja e investimeve nga BE kërkon kohë dhe për të qenë vertetë efektive duhet mund, korrektësi, ndershmëri, përgjegjësi, bashkëpunim me komunitetin dhe shoqërinë civile dhe sidomos aftësi.
Jam shumë i bindur se i vetmi kusht që, tani për tani, ne nuk e plotësojmë është aftësia. Nuk po analizojmë shkaqet, sepse ato janë të shumta, por do të thoja se, pas 17 vitesh demokraci dhe liri intelektuale, shkaku kryesor është mungesa e vetëbesimit, apo e besimit të tjerëve për të hartuar ne vetë projekte të përbashkëta bashkëpunimi. Tashmë koha thërret që kjo të korrigjohet. Programet e BE parashikojnë  partneritet të vërtetë. Aftësia fitohet në punë dhe nëpërmjet punës.

b. Këshilli i Qarkut Shkodër, duke parë  përspektivën e forcimit të kompetencave të tij në të ardhmën, tendencë kjo e shprehur në shumë dokumente shtetrore, por ende e vagët, filloi punën për ngritjen e kapaciteteve brënda qarkut. Janë ngritur Grupi i Vlerësimit të projekteve dhe Grupi i Hartimit të tyre. Të dy këto grupe po aftësohen teorikisht dhe praktikisht për realizimin e detyrave të tyre. Grupi i vlerësimit të projekteve, i cili përbëhet kryesisht nga drejtorë të Drejtorive të administratës sonë ka kryer tashmë detyrën e parë të tij, atë të klasifikimit të projekteve të tetë Komunave dhe Bashkive të Qarkut, të realizuara me ndihmën e Interkooperacionit Zviceran. Ndërsa grupi i hartimit të projekteve, i përbërë nga specialistë të rinjë, që janë jo vetëm njohës të mirë specialitetit të tyre, por edhe të gjuhës angleze e të programeve të kompiuterit, po vazhdon me sukses seancat e njohjes me praktikën e hartimit të projekteve sipas standarteve të BE. Praktikisht ky grup, duke bashkëpunuar me grupe të interesit, ka hartuar rreth 20 fishprojekte, të cilat pas vlerësimit dhe përditësimit të tyre, do të jenë të gatshme për t’u paraqitur pranë partnerëve, kur të vijë momenti i thirrjes për projekte nga donatorë të ndryshëm. Natyrisht nuk mund të pretendojmë se ky grup do të ndërmarrë punën për hartimin e projekteve, që kërkon specialistë të aftësuar, por ky grup do të jetë pjesëmarrës në hartimin e projekteve, gjithashtu ai do të ndihmojë grupet e interesit në qark për hartimin e fishprojekteve.
Pak ditë më parë, sipas një platforme të hartuar që në janar të kjëtij viti, organizuam Konferencën “Dukagjini në fokus”. Aty u lexuan 13 kumtesa, rezultat i një hulumtimi të gjatë të autorëve specialistë të fushave të ndryshme. Në fund u shfaq një film dokumentar, “Dukagjini turistik” i realizuar me mbështetjen financiare të SDC dhe Intercooperation. Konferenca e përgatitur në çdo detaj të saj, me kontributin e të përbashkët të Këshillit të Qarkut dhe GTZ,  pati sukses të plotë. Këtë e vertetoi pjesëmarrja e gjërë e specialistëve dhe e përfaqësuesve më të spikatur të komunitetit dukagjinas. Rezultatet e kësaj konference do të shërbejnë për hartimin e strategjisë së zhvillimit të kësaj zone, sa të pasur në resurse natyrore, aq të varfër në ekonomi dhe infrastrukturë. Realizimi i këtij projekti pilot, ku vendin kryesor e zë ndërtimi i rrugës Mes-Theth, do të shërbejë si shembull për të ndërmarrë nisma të reja në gjithë Qarkun e Shkodrës dhe më tej. Deri tani është përmbushur kushti themelor për suksesin e një projekti: marrëveshja e plotë ndërmjet Këshillit të Qarkut, komunitetit dhe drejtuesve të katër komunave të zonës turistike të Dukagjinit, që lidhen nga rruga e sipërpërmendur, në gjëndje të mjeruar. Ata janë zotuar se do të jenë bashkëveprues në çdo veprimtari që i shërben zhvillimit të zonës. Me përpjekjet po sensibilizojmë institucionet shtetërore për faktin se ndërsa ndërmarrjet private, të inkurajuara nga shteti i shpenzojnë parat atje ku fitohet, shteti duhet të mendojë dhe të  investojë në ato zona dhe sektorë, ku komuniteti është në nevojë. Kemi shënja mjaft pozitive, jemi në pritje të vendimeve të tyre. Ne do të kërkonim nga donatorët që edhe ata  të kontribuonin në këtë drejtim, sidomos në financimin për hartimin e Strategjisë së Dukagjinit dhe planeve të zhvillimit të komunave të tij. Në veçanti për hartimin projektit të rrugësë Mes-Theth, për realizimin e studimet urbanistike të komunave të kësëaj zone, duke filluar nga Postrriba e duke mbaruar në Theth. 
Natyrisht nisma për zhvillimin e Dukagjinit nuk përjashton nismat për zhvillimin e zonave të tjera të qarkut të Shkodrës, sidomos të zonave rurale malore dhe fushore. Ne kemi planifikuar prioritetet në ndërtimin dhe strukturimin e rrugëve rurale, që do të realizohen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me invesëtime të donatorëve të ndryshëm, ku spikat Banka Botrore. Sapo KRRT e Qarkut ka miratuar Lejën e ndërtimit për linjën e transmetimit 400 KV- Tiranë- Podgoricë, lejën e ndërtimit për rrugën Shkodër-Han i Hotit dhe Studimin urbanistik shumë cilësorë të Komunës Bushat. Të gjitha këto projekte mbështeten në Planin Hapsinor Shkodër-Lezhë-Eptiza, i cili tashmë është bërë një dokument bazë në projektime dhe zbatime.

c. Për të realizuar objektivat afatshkurta, afatmesme dhe afatgjata të Këshillit të Qarkut Shkodër ne kemi nevojë për mbështetje teknike dhe financiare, qoftë nga qeveria e jonë, ashtu dhe nga donatorë të huaj. Ne duhet të përgatitemi për të thithur fondet e BE sapo të integrohemi. Për të na parapërgatitur për thithjen tyre do të shërbejnë programet e paraaderimit IPA-Adriatik dhe IPA –CBC (Shkoder-Mali i Zi). Projektet në kuadrin e këtyre programeve kërkojnë marrëveshje ndërmjet dy ose më shumë partnerëve në dy anët e kufirit, lokalë dhe shtetror. Nga ana tjetër ende nuk është qartësuar pozicioni i qarkut. Mendoj se në fillim ne kemi nevojë dhe mund të mësojmë nëpërmjet hartimit dhe implementimit të projekteve më të vogla brënda qarkut, ku ky i fundit të marrë përsipër rolin vlerësues, koordinues dhe kontrollues. Për të krijuar mundësinë e realizimit të këtij qëllimi, do të kërkoja, që pas diskutimeve rreth matricës, që ju kemi propozuar, të dilnim nga ky takim me një projektmarrëveshje, në në të cilën të pasqyroheshin objektivat dhe përgjegjësitë tona të përbashkëta si:
1.Ngritja e Fondit të besimit në qark, në shembullin e Dibrës.
2.Ngritja e Fondit të Veçantë për blerjen e kapaciteteve dhe sherbimeve për hartimin e projekteve të zhvillimit në shkallë qarku. Shembull i  parë mund të ishte  financimi i  procesit për hartimin e strategjisë së zhvillimit të  zonës Dukagjinit, ku përfshihet realizimi i projektit për rrugën dhe për studime urbanistike të zonës.
3.Ndihma teknike dhe financiare për realizimin e trainimeve të thella të stafit të Qarkut dhe bashkëpunëtorëve të tij
4.Strukturimi i ndihmës për mbeshtetje për trainime dhe internship në lidhje me projektet në kuadrin e  IPA.
Jam i bindur se me punën e tij dhe me mbështetjen e tuaj, Këshilli i Qarkut Shkodër do të dijë t’i drejtojë përpjekjet e veta në realizimin e projekteve që kanë për qëllim rritjen e mirëqenies së banorëve të tij dhe përgatitjen që vendi ynë të bëhet pjesë  e BE.

Faleminderit