Gjovalin KOLOMBI – Diskutim në Takimin e Grupit të Punës për Ballkanin

47

 

 

 

Kryetar i Këshillit të Qarkut Shkodër (Shqipëri)
Bruksel, 13.11.2008

I nderuar Z.Jos Chabert, Kryetar i Grupit te punës për Ballkanin Përendimor
I nderuar Z.Ferdinand Poni, Zv/Minister
Të nderuar kryetarë te pushteteve lokale të Shqipërisë të pranishëm
Të nderuar miq

Fillimisht më lejoni të shpreh një falënderim për  Komitetin e Rajoneve te KE për ftesën për të marrë pjesë në këtë takim si dhe për mikpritjen.     Qarku i Shkodrës, në veripërendim të Shqipërisë, me sipërfaqe prej 3562 km katror dhe me një popullsi prej  336 699 banorësh është i një nga qarqet më interesant përsa i përket larmisë së natyrës. Në një hapsirë të vogël me një diametër jo më shumë se 40 km mund të shijosh detin, liqenet natyralë dhe artificialë, lumenjtë dhe rranxat e maleve  të larta. Qarku i Shkodrës ka tre rrethe (vetëm si koncept gjeografik) në të cilat veprojnë 5 bashki dhe 28 komuna, fushore dhe malore. Kufizohet në Jug përendim me  Detin Adriatik (Itali), në veri përendim me Malin e Zi. Qendër e qarkut është qyteti i Shkodrës, një ndër qytetet më të lashta dhe me një traditë të pasur kulturore, ekonomike dhe politike, në të cilin gjendet dhe Universiteti i vetëm i Shqipërisë së Veriut me rreth 12.000 studentë të ndarë në 6 fakultete.Këshilli i Qarkut  të Shkodrës, harton dhe zbaton politikat e zhvillimit të qarkut duke i koordinuar ato me politikat kombëtare. Vendimet e Këshillit të Qarkut janë të detyruara për zbatim nga Bashkitë dhe komunat, por pa cenuar në asnjë rast autonominë e tyre. Në bazën e çdo veprimi të Këshillit të Qarkut, me pushtetin lokal dhe qendror, qëndron institucioni i marrëveshjes dhe i delegimit. Në kuadrin e bashkëpunimit me Bashkitë dhe komunat si dhe  me donatorët gjithnjë e më tepër po kristalizohet mendimi se çdo projekt veprimi apo studimi për bashkitë dhe komunat, që ndërmerret nga donatorë, apo nga vetë ato, duhet ta ketë pikënisjen në Këshillin e Qarkut, i cili vihet jo vetëm në rolin e koordinatorit, por edhe të monituruesit të zbatimit të projekteve. Në këtë mënyrë është arritur të shmangen mbivendosjet dhe të rritet përgjegjësia në kryerjen e punës.    Në fund të vitit 2007, nga Këshilli i i Ministrave u miratua SNZHR ku këshillave të qarqeve u jepet një kompetencë më e madhe në administrimin e territorit të tyre. Kjo strategji do të marrë statusin e plotë juridik pasi të miratohet së shpejti ligji përkatës. Detyra themelore, që shtrohet në këtë dokument, është hartimi i një strategjie sa më të mirë të zhvillimit rajonal dhe sektorial të qarkut, sidomos të zonave të prapambetura rurale malore. Përparësi i kemi dhënë zhvillimit të një zone të  bukur natyrore, por të varfër në shekuj, Dukagjinit. Për Qarkun e Shkodrës kjo do të bëhet me mbështetjen e GTZ dhe donatorëve të tjerë. Për të parën herë këto ditë Këshilli i Qarkut ka miratuar Planet strategjike të veprimit të 6 Bashkive dhe Komunave, si dhe detyrat e e projektimit të planeve urbanistikë të dy Bashkive. Këtë e kemi bërë në përputhje me ligjin ekzistues të urbanistikës, por edhe me Projekt ligjin e ri të urbanistikës, që ve Këshillin e Qarkut në rolin e tij, duke futur konceptin e Planit hapsinor në tre nivele. Pavarësisht kuadrit jo të plotë ligjor ne kemi filluar përgatitjet për fillimin e hartimit të strategjisë. Janë ndërtuar dhe funksionojnë forumet e partneritetit në tre rrethet me pjesëmarrjen e përfaqësuesve më të kualifikuar dhe më të devotshëm të komunitetit. Këto do të jenë baza e Këshillit të Partneritetit të Qarkut, i cili do të jetë organi i kualifikuar në përcaktimin e drejtimeve themelore të zhvillimit në qark.  Agjencia e zhvillimit të do të jetë organi hartues dhe zbatues i strategjisë. Në administratën e Këshillit të Qarkut është në aktivitet  Grupi i hartimit të projekteve në të cilin bëjnë pjesë vajza dhe djemë të shkolluar më rezultate të larta në universitet, që njohin shumë mirë gjuhët e huaja si: Anglish, Frengjisht, Gjermanisht, Italisht etj dhe kompiuterin dhe po trajnohen në njohjen e problemeve të asocim-stabilizimit dhe në pjësëmarrjen e institucioneve të qarkut në  Programin e para aderimit IPA. Po punojmë që anëtarët e stafit të qarkut ta konsiderojnë veten pjesë e administratës publike në të cilën ato duhet të bëjnë karierën e tyre, pra të përgatiten si profesionistë të punës në administratë. Në të gjitha këto përgatitje ne kemi ndihmën e madhe të agjencive donatore ose jodonatore të disa shteteve të Evropës, si Gtz, SNV, Interkooperacioni zviceran, ADA, etj.    Një objektiv i Këshillit të Qarkut Shkodër është krijimi i  “Fondit të besimit”  sipas shembullit të qarkut të Dibrës, projekt i asistuar nga SNV dhe me donatore Ambasadën Hollandeze. Sic dihet Këshilli i Qarkut nuk ka të ardhura të mjaftueshme për të realizuar investime, apo për t’i përdorur ato si grante konkuruese për komunat dhe bashkitë. Fondet e pakushtëzuara të krijuara nga grantet e pakushtëzuara të  Qeverisë si dhe  nga kontributet e Bashkive dhe Komunave mjaftojne vetëm për disa  investime në riparimin e rrugëve rurale dhe për disa blerje të vogla. Administrimi i “Fondit të besimit” do të jetë një shkollë e vertetë për Këshillin e Qarkut drejt marrjes së kompetencave më të mëdha në të ardhmen, në sistemin arsimor, shëndetësor dhe atë social.     Një tjetër objektiv madhor i Këshillit të Qarkut Shkodër është forcimi i marrëdhënieve me jashtë. Këshilli i Qarkut Shkodër është nisur nga parimi i fqinjësisë së mirë me të gjithë vendet e rajonit duke ju përmbajtur orientimeve të një rajoni të stabilizuar ku të gjithë janë të ndërgjegjshëm se vetëm bashkëpunimi ndërrajonal është parakusht për integrim. Rëndësi ikemi vënë bashkëpunimit kufitar, me Italinë dhe Malin e Zi nëpërmjet zbatimit të politikave të BE. Ne kemi nenshkruar marrëveshje bashkëpunimi me disa rajone të Italisë si me Regione Molise, Regione Lombardia, Regione Toscana, Regione Emilia Romagna, me  Rajonin e Istrias Kroaci etj, Gjithashtu jemi ne bisedime me Komuna fqinje të Malit të Zi për fillimin e hartimit të projekteve të përbashkëta në kuadrin e programit IPA. Së shpejti përfundon ndërtimi i të parës pikë të përbashkët kufitare Malin e Zi në Muriqan, shembull i administrimit me të njëjtin standart i kufirit në atë zonë. Gjithashtu Këshilli i Qarkut Shkodër është inicues i Projektit ambicioz të Parkut Ballkanik të Paqës (në bjeshkët e Nemuna në zonën në mes të Kelmendit dhe Plavës e Gucisë) e ndihmuar dhe e përkrahur në anet respektive te kufirit nga SNV, Fondacion Zhvillimi Holandez e shumë donatore  të tjerë potencialë. Ky Park ndërkombëtar do të përfshije hapësira territoriale zhvillimi e bashkëpunimi ne Veriun e Shqipërisë, Malin e Zi dhe Kosovën. Për lehtësimin e këtij bashkëpunimi  Këshilli Qarkut Shkodër është anëtar i Asamblesë së Rajoneve, anëtar i Eurorajonit Adriatik, në Shkodër është hapur zyra e Autoriteteve lokale e Këshillit të Evropës.    Së fundi, duke qenë të ndërgjegjshëm për statusin e vendit tonë si një kandidat potencial për anëtarë të BE, ne po punojmë shumë në ngritjen e kapaciteteve në kuptimin dhe hartimin e projekteve në programet e ndryshme të BE, por edhe të shteteve të vecanta. Ne duhet të behemi të aftë te hartojmë vetë projektet dhe të kërkojmë partnerët e duhur, jo si ka ngjarë deri tani. Sfida e parë për ne janë projektet IPA Crossborder Adriatik  dhe IPA Crossborder Shkodër-Mali i Zi për dy masat e para të programit ngritje kapacitetesh dhe bashkëpunim ndërkufitar. Në Shkodër është miratuar të ngrihet Sekretariati i Perbashket Teknik
    Ne kemi mendimin se rajonizimi në 12 Qarqe i Shqipërisë duhet konsideruar si një organizim provë i mënyrës së qeverisjes me dy nivele. Kalimi me sukses i kësaj prove kërkon një organizim tjetër, ate të ndarjes së Shqipërisë në rajone Nuts 2  me Këshill Rajoni dhe Kryetar Rajoni të zgjedhur drejpërdrejt nga populli. Besojmë se Ligji për Këshillat e Qarqeve, që mendohet të miratohet në vitin 2010 duhet të ketë pikësynim. Megjithatë, edhe në kuadrin e legjislacionit ekzistues, me akte nënligjore të bazuara në Kushtetutë dhe duke bërë disa amendime të ligjit për organet e pushtetit vendor edhe gjatë kësaj periudhe është e mundur të realizohet një decentralizim më i thellë i kompetencave nga pushteti qëndror në atë të Qarqeve, ashtu si po bëhet me sukses decentralizimi drejt Bashkive dhe Komunave.
Faleminderit për vemendjen